Vendosni fjalën kyçe....

“Bukë dhe cirk” si mënyrë qeverisjeje


Nga Thoma Gëllçi

Në Romën e Lashtë, poeti romak Juvenal përshkroi një mënyrë qeverisjeje që u bë e njohur me shprehjen “bukë dhe cirk” : Perandorët organizonin gara, shfaqje dhe spektakle të mëdha për publikun, ndërsa shpërndanin edhe ushqim falas. Qëllimi nuk ishte zgjidhja e problemeve të qytetarëve, por ulja e pakënaqësisë dhe largimi i vëmendjes nga mënyra se si qeverisej vendi.

Kanë kaluar rreth dy mijë vjet, por kjo praktikë vazhdon të përmendet sa herë që një qeveri i jep përparësi spektaklit në vend të përgjegjësisë për administrimin e parasë publike.

Pikërisht për këtë arsye ka shkaktuar reagime lajmi se qeveria shqiptare ka përdorur 4 milionë euro nga fondi rezervë për të financuar koncertin e Kanye West në Tiranë.

Së pari, koncerti nuk është një shërbim publik. Ai është një aktivitet privat. Organizatorët shesin bileta, krijojnë të ardhura dhe përfitojnë ekonomikisht nga organizimi i tij. Kjo është normale në një ekonomi tregu. Kush organizon një koncert, merr përsipër edhe rrezikun financiar të tij. Nëse aktiviteti është i suksesshëm, fiton. Nëse nuk është, humbet. Ky është rregulli i tregut.

Roli i shtetit nuk është të mbulojë rrezikun financiar të sipërmarrjeve private me paratë e taksapaguesve. Përkundrazi, shteti duhet të krijojë kushtet që aktivitetet private të zhvillohen, të paguajnë taksa dhe të kontribuojnë në buxhetin e vendit, jo të financohen prej tij.

Së dyti, edhe nëse qeveria vendos të mbështesë një aktivitet kulturor ose artistik, kjo duhet të bëhet me fondet e parashikuara për kulturën, turizmin ose promovimin e vendit. Përdorimi i fondit rezervë e ndryshon tërësisht natyrën e vendimit.

Fondi rezervë nuk është krijuar për koncerte. Ai është një mekanizëm financiar për raste të jashtëzakonshme: zjarre, përmbytje, tërmete, epidemi dhe situata të tjera ku shteti duhet të reagojë menjëherë për të mbrojtur jetën, pronën dhe interesin publik.

Nëse sot fondi rezervë përdoret për një koncert, nesër do të përdoret për çdo aktivitet tjetër që qeveria e konsideron politikisht të dobishëm. Kështu humbet kufiri mes nevojës publike dhe interesit të momentit.

Asnjë koncert, pavarësisht emrit të artistit apo numrit të spektatorëve, nuk mund të konsiderohet një emergjencë kombëtare. Një koncert mund të sjellë vizitorë, publicitet ose fitime për organizatorët, por këto nuk janë arsyet për të përdorur fondin që është krijuar për fatkeqësi dhe situata të jashtëzakonshme.

Në Romën e Lashtë, “bukë dhe cirk” financoheshin nga perandori, i cili e konsideronte thesarin e shtetit si pronën e tij. Sot jetojmë në një republikë ku thesari nuk i përket as kryeministrit, as ministrave dhe as qeverisë. Ai u përket taksapaguesve. Ndoshta ky është ndryshimi që duhet kujtuar më shumë. Sepse  kur një qeveri fillon ta trajtojë spektaklin si emergjencë kombëtare, rrezikon ta trajtojë emergjencën kombëtare si një spektakël.