Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përsëritur kërkesën e tij që Groenlanda të vihet nën kontrollin amerikan, duke deklaruar se ishulli nuk duhet të administrohet nga Danimarka.
Deklarata u bë gjatë samitit të NATO-s në Ankara, ku Trump u takua me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Komentet e tij rikthyen në vëmendje një çështje që ka shkaktuar tensione mes Uashingtonit dhe Kopenhagenit, dy vende anëtare të Aleancës.
“Groenlanda duhet të kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara, jo nga Danimarka,” deklaroi Trump para gazetarëve, përcjell Reuters.
Presidenti amerikan tha se mosmarrëveshja për Groenlandën ka ndikuar edhe në marrëdhëniet e tij me NATO-n, duke argumentuar se Danimarka nuk investon mjaftueshëm për zhvillimin dhe sigurinë e territorit autonom.
“Kjo është ajo që dëmtoi marrëdhënien time me NATO-n, sepse Groenlanda nuk po ndihmohet nga Danimarka. Danimarka nuk shpenzon para për ta ndihmuar vërtet Groenlandën, por ajo është jashtëzakonisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Ajo është e rrethuar nga anije kineze dhe ruse, dhe kjo nuk do të ndodhë. Ata nuk pranuan, pavarësisht gjithë parave që ne shpenzojmë për t’i mbrojtur nga Rusia,” u shpreh Trump.
Pretendimet e Trump për marrjen nën kontroll të Groenlandës kanë shkaktuar reagime të forta në Evropë që prej rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa muajt e fundit çështja është trajtuar në rrugë diplomatike.
Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi në muajin qershor se bisedimet mes SHBA-së, Danimarkës dhe autoriteteve të Groenlandës vijojnë çdo muaj.
