Vendosni fjalën kyçe....

Kriza mes Izraelit dhe Azerbajxhanit thellohet pas njohjes së gjenocidit armen: “Kaloi vijën e kuqe”


Vendimi i Izraelit për të njohur zyrtarisht gjenocidin armen ka shkaktuar një përkeqësim të ndjeshëm të marrëdhënieve me Azerbajxhanin.

Sipas zyrtarëve të cituar nga mediat izraelite, Baku e konsideron këtë lëvizje si një “kalim të vijës së kuqe” dhe shpreh zhgënjim për mungesën e konsultimeve paraprake.

Burime të njohura me marrëdhëniet mes dy vendeve thanë se autoritetet azere besojnë se Izraeli nuk tregoi të njëjtën mbështetje që Azerbajxhani i ka dhënë gjatë luftës në Gaza, pavarësisht presionit ndërkombëtar, përcjell Ynet.

Sipas raportimeve, ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar ka biseduar me homologun e tij azer vetëm pasi vendimi ishte bërë publik, çka në Baku është parë si një fakt i kryer dhe jo si pjesë e një dialogu diplomatik.

“Ata folën vetëm pasi vendimi ishte shpallur. Nga këndvështrimi i Azerbajxhanit, kjo ishte një çështje e mbyllur, jo një dialog”, citojnë burimet.

Zyrtarët azerë argumentojnë se vendi i tyre nuk doli kundër Izraelit gjatë konflikteve në Gaza, Liban apo Iran, ndërsa prisnin që Jerusalemi të tregonte më shumë ndjeshmëri për një çështje që prek drejtpërdrejt interesat kombëtare të Azerbajxhanit.

Sipas tyre, njohja e gjenocidit armen rrezikon të dëmtojë besimin e ndërtuar ndër vite mes dy vendeve dhe mund të ndikojë negativisht edhe në procesin e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Burimet shtojnë se Baku shpreson që çështja të mos avancojë më tej në parlamentin izraelit dhe të mos hidhet për votim.