Vendosni fjalën kyçe....

Afera “Partizani”/ GJKKO thërret si dëshmitarë Bamir Topin dhe Fatmir Mediun, seanca e radhës më 20 korrik


Gjykata e Posaçme ka thirrur pesë dëshmitarë të tjerë në procesin gjyqësor për dosjen e njohur si “Partizani”, mes tyre ish-presidentin Bamir Topi dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Në seancën e radhës, e cila do të zhvillohet më 20 korrik në orën 11:00, janë thirrur gjithashtu ish-drejtori i klubit “Partizani”, Isa Tare, si dhe Urim Muja dhe Paro Laçi.

Sa i takon Isa Tares, i cili deri më tani nuk është paraqitur për të dëshmuar me argumentin e familjarëve se vuan nga demenca, GJKKO vendosi të ripërsërisë thirrjen, pasi SPAK argumentoi se nuk ekziston një akt zyrtar që e shpall atë të paaftë për të vepruar.

“Nuk ka një akt që vërteton se Isa Tares i është hequr e drejta për të vepruar (dmth i paaftë për shkak të sëmundjes), por është thjesht i biri që e pretendon. Kështu që duhet përsëritur thirrja”, pretendoi SPAK gjatë seancës.