Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëherazi kryetari i Komisionit Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, ka kërkuar forcimin e llogaridhënies dhe transparencës së institucioneve të pavarura, duke pranuar se një pjesë e tyre nuk po përmbushin pritshmëritë e qytetarëve.
Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, në diskutimin për projektrezolutën mbi veprimtarinë e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025, Xhafaj tha se procesi i raportimit të institucioneve nuk duhet të jetë formal, por të shërbejë si një moment reflektimi për funksionimin e tyre dhe ndikimin që kanë në jetën e qytetarëve.
“Qytetarët i matin institucionet në bazë të shërbimeve që marrin. Ka institucione që i përmbushin pritshmëritë, por ka edhe institucione që nuk arrijnë të japin shërbimin e duhur ndaj qytetarëve. Nuk ndjekin me rigorozitet rekomandimet e Kuvendit dhe nuk prodhojnë rezultatet që qytetarët presin prej tyre. Ky është një fakt që nuk mund të fshihet pas gjuhës formale të raporteve vjetore. Është pikërisht ky hendek që duhet të na shqetësojë seriozisht dhe të reflektojmë të gjithë, duke filluar nga Kuvendi i Shqipërisë. Ky proces raportimi nuk duhet të jetë rutinë. Ai duhet të jetë një moment reflektimi real mbi mënyrën sesi këto institucione funksionojnë dhe efektin që ato kanë në jetën reale”, u shpreh Xhafaj.
Deputeti socialist theksoi se performanca e institucioneve të pavarura është një element kyç edhe në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Në disa nga kapitujt kryesorë të negociatave me BE-në, performanca e institucioneve të pavarura është një element përcaktues. Mbikëqyrja parlamentare nuk është vetëm një funksion i brendshëm institucional, por edhe pjesë e detyrimit tonë europian për të ndërtuar institucione funksionale dhe të përgjegjshme. Në shumë raste procesi i mbikëqyrjes parlamentare ka qenë fragmentar, i shkëputur në kohë dhe jo gjithmonë i shoqëruar me ndjekje të qëndrueshme të rekomandimeve të Kuvendit”, tha ai.
Sipas Xhafajt, ndryshimet e fundit në Rregulloren e Kuvendit dhe qasja e re e Komisionit që ai drejton synojnë ta bëjnë më efektiv procesin e mbikëqyrjes parlamentare.
“Pikërisht për këtë arsye, Kuvendi ka marrë ndryshime në rregulloren e tij, lidhur me mbikëqyrjen parlamentare, përfshirë edhe rolin e fokusuar të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Parlamentare në këtë proces. Në këtë frymë, Komisioni ynë ka synuar të sjellë një qasje të re në procesin e raportimeve vjetore të institucioneve të pavarura. Në këtë proces një rol të veçantë kanë edhe rekomandimet e BE-së. Në rezolutë është propozuar edhe raportimi periodik mbi zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit, me qëllim forcimin e mbikëqyrjes së vazhdueshme. Këto masa kanë një qëllim të vetëm, të forcojnë cilësinë e qeverisjes demokratike, llogaridhënien dhe transparencën publike dhe për rrjedhojë kjo të përmirësojë besimin e qytetarëve te institucionet e shtetit”, deklaroi Xhafaj.
