Vendosni fjalën kyçe....

Rrëzohet helikopteri në Arabinë Saudite, lë 14 viktima



Një helikopter në pronësi të gjigantit saudit të naftës Aramco është rrëzuar të dielën në Ras Tanura, në bregun lindor të Arabisë Saudite, në perëndim të Ngushticës së Hormuzit, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave në bord, përcjell DW.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Arabisë Saudite, në bord ndodheshin 14 shtetas sauditë, të cilët nuk i mbijetuan aksidentit që ndodhi rreth orës 06:00 me orën lokale.

Autoritetet saudite kanë bërë të ditur se hetimet për shkaqet e rrëzimit janë duke u zhvilluar me pjesëmarrjen e institucioneve përkatëse, ndërsa ende nuk është dhënë një përfundim zyrtar mbi incidentin.

Ngjarja ndodh në një periudhë kur Aramco – kompania më e madhe e naftës në botë dhe në pronësi të shumicës nga shteti saudit – kishte rifilluar aktivitetin e ngarkimit në Ras Tanura vetëm pak ditë më parë, pas një periudhe pezullimi për shkak të tensioneve dhe pasigurive në rajon.