
Një zjarr i rënë në fshatin Hekal ka përfshirë disa hektarë me shkurre dhe ullinj, duke vënë në alarm autoritetet lokale për shkak të afërsisë me Parkun Arkeologjik të Bylisit.
Fillimisht, flakët u vunë nën kontroll nga shërbimi zjarrfikës i Ballshit, por era e fortë bëri që rreth mesditës zjarri të riaktivizohej dhe të përhapej sërish në zonën përreth.
Në operacion u angazhuan zjarrfikësit e Mallakastrës, të mbështetur edhe nga repartet zjarrfikëse të Fierit. Për shkak të rrezikut që flakët të depërtonin në territorin e mbrojtur të Parkut Arkeologjik të Bylisit, autoritetet ndërhynë edhe nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Pas disa orësh pune intensive, zjarri është shuar, ndërsa ekipet zjarrfikëse vijojnë monitorimin e territorit për të parandaluar riaktivizimin e mundshëm të vatrave.
Sipas autoriteteve, era e fortë mbetet një faktor rreziku, veçanërisht gjatë orëve të natës, ndaj monitorimi do të vazhdojë edhe në vijim.