
Apple po lobon pranë administratës Trump për të marrë leje për të blerë çipa memorie nga CXMT, një kompani kineze që është futur në listën e zezë të Pentagonit për shkak të dyshimeve për lidhje me Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës, sipas gjashtë personave të njohur me çështjen.
Prodhuesi i iPhone-ve ka zhvilluar një fushatë lobimi për të marrë miratimin e Shtëpisë së Bardhë, në mënyrë që të lehtësojë presionin financiar të rritjes së çmimeve të çipave të memories.
Sipas një burimi, Apple iu drejtua Departamentit të Tregtisë më shumë se një muaj më parë, por kompania ka kontaktuar edhe zyrtarë të tjerë në administratë dhe aleatë në Uashington.
Apple nuk është e ndaluar të blejë çipa nga CXMT ose YMTC, një tjetër prodhues kinez i memories. Megjithatë, Pentagoni i ka futur të dyja kompanitë në listën e tij të kompanive kineze me lidhje ushtarake. Kjo listë, e njohur si 1260H, përfshin dhjetëra kompani kineze me lidhje të dyshuara me Ushtrinë Popullore Çlirimtare që, sipas SHBA-së, minojnë sigurinë kombëtare.
Lëvizja e rrallë e Apple për të rritur çmimet e MacBook-ëve dhe iPad-ëve të enjten i fshiu 263 miliardë dollarë nga kapitalizimi i saj i tregut, rënia e dytë më e madhe në një ditë e kompanisë. Apple e justifikoi këtë me çmimet “e paqëndrueshme” të memories.
Sigurimi i CXMT si furnizues do t’i ndihmonte Apple të zgjidhte presionin nga furnitorët aktualë.
Fushata e lobimit vjen pas takimit të Presidentit Donald Trump me homologun kinez Xi Jinping në Pekin muajin e kaluar. Para samitit dhe në muajt para takimit të tyre të mëparshëm në Korenë e Jugut në tetor, SHBA ka shmangur vendosjen e kontrolleve të reja të eksportit që do të prekni kompanitë kineze. Lista 1260H krijon rrezik reputacional për kompanitë, por në shumicën e rasteve nuk ka pasoja ligjore.
Departamenti i Tregtisë vitin e kaluar e kishte shtuar CXMT në një paketë kompanish kineze që synonte t’i vendoste në një listë tjetër kufizuese (“Entity List”), por Shtëpia e Bardhë kërkoi pezullimin e masave të reja ndërsa po zhvilloheshin negociata tregtare me Kinën.
Megjithatë, sipas burimeve, mbetet e paqartë nëse Apple do të marrë garanci nga administrata, sidomos për faktin nëse CXMT mund të shtohet më vonë në listën e subjekteve të ndaluara. Vitin e kaluar, Trump lejoi Nvidia të shiste çipa të avancuar H200 në Kinë, pavarësisht kundërshtimeve brenda administratës.
Pentagoni në shkurt e përditësoi listën 1260H, por e tërhoqi brenda një ore. Më pas e ri-lëshoi këtë muaj me CXMT dhe YMTC të rikthyera në të.
Kongresi ka shumë gjasa të kundërshtojë fort çdo miratim për Apple për të blerë nga CXMT, që konsiderohet si “kampioni kombëtar” i Kinës.
“Apple duke zgjedhur të bashkëpunojë me një kompani ushtarake kineze do të ishte një gabim i rëndë,” tha John Moolenaar, kryetar republikan i komitetit të Dhomës për Kinën.
Apple tashmë varet nga Micron në SHBA, si dhe Samsung dhe SK Hynix në Korenë e Jugut për DRAM.
Industria globale e memories është shumë e përqendruar dhe po përballet me mungesa të shkaktuara nga kërkesa e madhe për AI, gjë që ka rritur çmimet dhe presionin mbi prodhuesit e pajisjeve.
Apple nuk pranoi të komentojë, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk dha përgjigje, shkruan FT.