Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka mohuar pretendimet se Irani do të përfitojë miliarda dollarë asete të zhbllokuara në kuadër të marrëveshjes së re mes Uashingtonit dhe Teheranit, e cila u njoftua të dielën dhe pritet të nënshkruhet gjatë kësaj jave.
Në një intervistë për “CBS Mornings”, Vance deklaroi se raportimet për lirimin e miliarda dollarëve nuk janë të sakta.
“Kur njerëzit thonë se do të lirohen miliarda dollarë asete, kjo nuk është e vërtetë. Ajo që është e vërtetë është se Irani do të ketë një të ardhme shumë më të mirë dhe më të begatë nëse përmbush detyrimet që merr përsipër me këtë marrëveshje,” tha ai.
Deklarata vjen pasi Garda Revolucionare iraniane pretendoi se, sipas marrëveshjes, Teherani do të përfitojë 24 miliardë dollarë fonde të ngrira gjatë periudhës 60-ditore të negociatave përfundimtare, ku gjysma e shumës do të vihej në dispozicion përpara nisjes së fazës finale të bisedimeve.
I pyetur për mundësinë e zhbllokimit të aseteve iraniane, Vance tha se administrata amerikane është e gatshme të diskutojë opsione të ndryshme, por këmbënguli se shifra prej 24 miliardë dollarësh nuk figuron në asnjë dokument të negociuar.
“Ne jemi të hapur për shumë gjëra që janë në tryezë, por shifra prej 24 miliardë dollarësh nuk shfaqet askund në tekstet që kemi diskutuar me iranianët. Ajo që kemi thënë është se jemi të gatshëm të flasim për zhbllokimin e aseteve, por marrëveshja shumë më e rëndësishme është heqja e sanksioneve ndaj ekonomisë iraniane, për aq kohë sa Irani merr angazhime afatgjata për programin e tij bërthamor,” u shpreh ai.
Sipas Vance, elementët më radikalë në Iran po përpiqen të paraqesin marrëveshjen në një mënyrë që u shërben interesave të tyre të brendshme politike.
“Një nga gjërat që do të bëjnë elementët e linjës së ashpër në vendin e tyre është keqinterpretimi i marrëveshjes për ta shitur atë te pjesë të caktuara të audiencës së tyre të brendshme. Por teksti është shumë i qartë. Nuk ka asgjë për 24 miliardë dollarë,” tha zëvendëspresidenti amerikan.
Vance njoftoi gjithashtu se administrata e presidentit Donald Trump planifikon të publikojë tekstin e plotë të marrëveshjes gjatë kësaj jave.
“Ne duam që populli amerikan ta shohë marrëveshjen. Ka disa procedura diplomatike dhe teknike që duhen përfunduar, por synojmë të publikojmë tekstin e plotë këtë javë,” deklaroi ai.
Sipas tij, marrëveshja synon të garantojë që Irani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore, ndërsa njëkohësisht parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin gradual të Iranit në ekonominë globale.
Vance shtoi se administrata amerikane po bashkëpunon me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe me autoritetet iraniane për shkatërrimin e rezervave të uraniumit të pasuruar.
“Presidenti e ka bërë shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara do të jenë aty për të konfirmuar se rezervat e uraniumit të pasuruar janë shkatërruar,” përfundoi ai.
