Një ngjarje që po konsiderohet si një “mrekulli e vërtetë” ka ndodhur në Malin Everest, ku një udhërrëfyes alpinizmi nepalez, i cili dyshohej se kishte ndërruar jetë, është gjetur gjallë duke u zvarritur në dëborë pas gjashtë ditësh pa asnjë kontakt.
Dawa Sherpa, 52 vjeç (i njohur edhe si Hillary Dawa Sherpa), u pa për herë të fundit javën e kaluar mbi Kampin 3, në një lartësi prej rreth 7,500 metrash, teksa po zbriste pas arritjes në majë.
Shpresat për mbijetesën e tij ishin pothuajse zero për shkak të ajrit ekstremisht të rrallë në atë lartësi, saqë bashkëshortja e tij kishte kryer edhe ritet e fundit të lutjes për shpirtin e tij.
Megjithatë, ditën e enjte, një ekuipazh pastrimi e pikasi alpinistin veteran teksa po “rrëshqiste ngadalë” përmes zonës së rrezikshme të akullnajës Khumbu drejt Kampit bazë. Ndonëse kishte pësuar ngrirje (frostbite) në duar, ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
“Dawa ia doli të mbijetonte kundër të gjitha gjasave për ditë të tëra. Kjo nuk është asgjë më pak se një mrekulli. Ky është një vetëshpëtim i vërtetë. Me sa di unë, askush nuk ka mbijetuar i vetëm në atë lartësi në Everest deri më tani,” – deklaroi Pemba Sherpa, drejtor ekzekutiv i “8K Expeditions”, kompania që udhëhoqi përpjekjet e kërkim-shpëtimit dhe bëri evakuimin e tij me helikopter, përcjell BBC.
Alpinisti aktualisht ndodhet i shtruar në njësinë e kujdesit intensiv në spitalin HAMS në Katmandu. Mjekët konfirmojnë se ai është i vetëdijshëm dhe flet. Vajza e tij, Mhendo Lhamo Sherpa, u shpreh e lumtur pas vizitës, duke konfirmuar se i ati e kishte njohur menjëherë.
Përpara se të bëhej zbulimi i tij i bujshëm, një ish-marins mbretëror britanik, Chris Thrall, i cili kishte qenë pjesë e grupit të zbritjes me Dawan, kishte postuar një video-mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale.
Ai tregoi se kushtet atmosferike këtë vit ishin tmerrësisht të vështira, duke bërë që një rrugëtim që normalisht zgjat 5 ditë, t’u merrte atyre plot 11 ditë.
Ky sezon në Malin Everest po rezulton si më i ngarkuari në histori, ku më shumë se 1,000 persona kanë arritur majën. Megjithatë, bilanci mbetet tragjik, pasi deri më tani konfirmohet se pesë persona kanë humbur jetën gjatë ngjitjeve të këtij viti.
