Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku për Zvërnecin: Çdo projekt i madh shoqërohet me mosbesim, ligji i Investimeve Strategjike është një rrezik real


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar në Kuvend se protestat kundër projektit në Zvërnec janë pasojë e një sistemi që, sipas saj, ka krijuar mosbesim të thellë te qytetarët ndaj investimeve të mëdha dhe vendimmarrjes së qeverisë.

Gjatë fjalës së saj në seancën plenare, Tabaku tha se i është bashkuar protestës si qytetare, pasi e konsideron të drejtë shqetësimin e ngritur nga aktivistët dhe banorët kundër projektit që parashikohet të zhvillohet në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

Sipas saj, çdo projekt i madh në Shqipëri shoqërohet automatikisht me dyshime dhe mosbesim, pasi qytetarët nuk kanë më bindjen se ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë.

“Dua të flas për sistemin që ka mbledhur sot qytetarët përballë qeverisë. Për sistemin që ka bërë të mundur që çdo projekt i madh në Shqipëri të shoqërohet automatikisht me mosbesim. Shqiptarët e dinë nga përvoja se ligji nuk i trajton të gjithë njësoj”, u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate kujtoi se prej vitesh ka ngritur shqetësime për ligjin e zonave të mbrojtura dhe projektin e aeroportit të Vlorës, duke theksuar se bashkë me organizata të shoqërisë civile e kanë çuar çështjen deri në institucionet europiane.

“Tre vite më parë disa organizata të shoqërisë civile trokitën në derën e zyrës sime dhe ngritën shqetësimin për ligjin e zonave të mbrojtura. Iu bashkova shqetësimeve të tyre dhe arritëm ta çojmë çështjen e aeroportit të Vlorës dhe ligjin e zonave të mbrojtura në dyert e Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian”, tha ajo.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së saj, Tabaku ia kushtoi ligjit për Investimet Strategjike, të cilin e cilësoi si një nga problemet kryesore që ka krijuar tensione mes qytetarëve dhe institucioneve.

Sipas saj, ky ligj i jep shtetit mundësinë të ndërhyjë në çështje pronësie dhe favorizon projekte të caktuara në dëm të pronarëve legjitimë.

Kam nisur të flas për ligjin e Investimeve Strategjike si një rrezik të vërtetë. Është një ligj që merr dhe zapton pronën e pronarit legjitim dhe i kërkon shtetit të ndërhyjë në një marrëveshje mes pronarëve. Një ligj që lindi si i përkohshëm dhe sot është bërë i përhershëm”, deklaroi Tabaku.

Ajo shtoi se projektet e mëdha kërkojnë transparencë dhe debat publik të gjerë, duke akuzuar qeverinë se po vepron pa konsultim me qytetarët.

Sot po protestohet edhe për faktin se projekte të tilla të mëdha kanë nevojë për debat publik. Jo çdo gjë mund të trajtohet si shteti personal i Edi Ramës”, përfundoi deputetja e Partisë Demokratike.