Qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur pasditen e kësaj të mërkure në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të zhvilluar protestën e pestë radhazi kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Me sloganin “Zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja jonë”, protestuesit nisën grumbullimin në qendër të kryeqytetit, për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë.
Pjesëmarrësit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit, duke argumentuar se ai cenon një zonë me vlera të veçanta natyrore dhe mjedisore. Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë, ndërsa protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Rama të japë dorëheqjen”, “Shqipëria nuk shitet” dhe slogane të tjera janë artikuluar nga pjesëmarrësit në protestë.
Organizatorët kanë theksuar vazhdimisht se lëvizja është qytetare dhe jashtë ndikimit politik. Edhe në protestat e mëparshme janë dëgjuar thirrje kundër figurave kryesore politike të vendit, përfshirë sloganin “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Protesta e sotme vjen një ditë pas tubimit të katërt, i cili u shoqërua me tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Gjatë protestës së djeshme, policia kishte vendosur gardhe metalike pranë Kryeministrisë, ndërsa pati përplasje mes efektivëve dhe qytetarëve. Protestuesit pretenduan gjithashtu se ndaj tyre u përdor ujë me piper nga mjetet e policisë.
Kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec ka hyrë tashmë në ditën e pestë të mobilizimit qytetar, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave deri në plotësimin e kërkesave të tyre për transparencë dhe ndalimin e projektit në zonën e mbrojtur.


