Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, prezantoi këtë të mërkurë Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030, një dokument që synon të orientojë politikat kulturore të vendit gjatë viteve të ardhshme, duke e trajtuar kulturën jo vetëm si trashëgimi dhe identitet, por edhe si një motor zhvillimi ekonomik dhe social.
Gjatë prezantimit, Gonxhja e cilësoi kulturën si një investim publik dhe një infrastrukturë të identitetit kombëtar, që sipas tij prodhon vlerë ekonomike dhe përbën një element të rëndësishëm të procesit të integrimit europian.
Drafti i strategjisë është hartuar nga një agjenci italiane në bashkëpunim me ekspertë, artistë dhe organizata kulturore shqiptare, ndërsa synon të sjellë një qasje të re në menaxhimin dhe zhvillimin e sektorit kulturor.
“Programet tona specifike parashikohen të shtrihen në tre nivele kryesore: në nivel institucional dhe profesional, në nivel territori dhe bashkëpunimi lokal, si dhe në nivel zhvillimi dhe modernizimi,” deklaroi ministri.
Sipas Gonxhes, strategjia parashikon masa për forcimin e vetëfinancimit të institucioneve kulturore, përmirësimin e menaxhimit të tyre dhe krijimin e sistemeve të integruara për administrimin e biletave.
Një nga elementët kryesorë të dokumentit është edhe adresimi i kërkesave të hershme të komunitetit artistik, përfshirë miratimin e Statusit të Artistit dhe funksionalizimin e Këshillave Artistikë.
Ministri theksoi se strategjia synon gjithashtu të garantojë shtrirjen e politikave kulturore në të gjitha bashkitë e vendit, duke krijuar një bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor.
Në aspektin e modernizimit, dokumenti parashikon digjitalizimin e plotë të arkivave kombëtare, mbështetje të drejtpërdrejtë për artizanët dhe zgjerimin e programeve edukative e artistike në të gjitha nivelet.
Gonxhja u bëri thirrje artistëve, organizatave kulturore dhe publikut të konsultohen me draftin dhe të kontribuojnë me sugjerimet e tyre gjatë procesit të konsultimit publik.
Duke folur për financimin e kulturës, ministri vuri theksin te bashkëpunimi mes sektorit publik dhe atij privat, ndërsa e konsideroi kulturën një instrument të rëndësishëm për frenimin e shpopullimit.
“Që të rinjtë të qëndrojnë në qytetet dhe fshatrat e tyre duhet të ketë jetë kulturore,” u shpreh ai.
Në përfundim, Gonxhja theksoi se strategjia nuk duhet të mbetet thjesht një dokument politikash, por të shndërrohet në veprime konkrete që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Strategjia merr jetë vetëm kur kthehet në bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve dhe komunitetit krijues, mes politikës dhe shoqërisë, duke prodhuar dialog, projekte dhe vlerë për qytetarët,” deklaroi ministri.
