Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria hap rrugën për investimin te vilat qeveritare në Vlorë, Ibrahimaj: Prona shtetërore nuk i kalon privatit


Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që autorizon Korporatën e Investimeve Shqiptare (AIC) të koordinojë procesin e identifikimit dhe sqarimit të të drejtave pronësore në zonën e vilave qeveritare në Vlorë, në kuadër të projektit “Hospitality Albania, Vlorë”.

Vendimi synon të hapë rrugën për realizimin e investimit që parashikon transformimin e rezidencave qeveritare në struktura moderne të turizmit elitar, të aksesueshme për qytetarët dhe të destinuara për mikpritjen e personaliteteve ndërkombëtare nga politika, biznesi dhe arti.

Sipas qeverisë, procesi do të përfshijë verifikimin dhe konsolidimin e pronave shtetërore, pasi në zonë pretendohet se ka edhe prona private me mbivendosje të mundshme.

Për këtë arsye, AIC është autorizuar të bashkëpunojë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike dhe subjektet private për të sqaruar statusin juridik të sipërfaqeve përkatëse.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se modeli i programit “Hospitality Albania” nuk parashikon transferimin e pronës shtetërore te privatët.

“Asetet shtetërore shfrytëzohen me qëllim fitimin në bashkëpunim me privatin, por prona shtetërore nuk i transferohet privatit, por vetëm bashkëpunim menaxhimi,” deklaroi Ibrahimaj.

Ajo sqaroi se vendimi i miratuar autorizon Korporatën e Investimeve Shqiptare të zhvillojë bisedime dhe procedura për të përcaktuar qartë kufijtë mes pronës shtetërore dhe asaj private.

“AIC autorizohet që të diskutojë për të qartësuar ku është prona private dhe ajo shtetërore që t’i hapet rruga ‘Hospitality Albania’,” u shpreh ministrja.

Vendimi parashikon gjithashtu që Korporata e Investimeve Shqiptare të hartojë, në bashkëpunim me ekipin fitues të konkursit ndërkombëtar, konceptin urbanistik të zhvillimit të zonës ku do të zbatohet projekti.

Projekti fitues është propozuar nga studioja “Practica Arquitectura y Urbanismo SLP”, në bashkëpunim me “Saunders Architecture”. Sipas projektit, rezidenca qeveritare ekzistuese në Vlorë, me sipërfaqe 1.644 metra katrorë, do të transformohet në një kompleks turistik luksoz me struktura druri, hotele, pishina dhe hapësira të dedikuara për mirëqenie dhe aktivitete rekreative.

Kompleksi do të përfshijë gjithashtu ambiente për joga, terapi, meditim dhe klasa arti, ndërsa do të jetë i lidhur me një rrjet të brendshëm rrugor për automjete dhe biçikleta.

Sipas vendimit, institucionet shtetërore do të kenë detyrimin të vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar nga Korporata brenda pesë ditëve nga marrja e kërkesës zyrtare, ndërsa AIC dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare do të duhet të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi brenda 30 ditëve.

Qeveria e konsideron projektin “Hospitality Albania, Vlorë” si një investim me rëndësi për zhvillimin urban dhe turistik të zonës, ndërsa vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.