
Eurodeputetja greke Afroditi Latinopoulou i cilësoi tragjike ato që po ndodhin në Shqipëri ndërsa i kërkoi qeverisë së kryeministrit Mitsotakis që të shqyrtojë dëbimin e ambasadorit shqiptar nga Greqia.
“Tragjike ajo që po ndodh në Epirin e Veriut”, tha në një intervistë për SKAI presidentja e “Voice of Reason”, Afroditi Latinopoulou, duke iu referuar incidenteve që ndodhën të shtunën e kaluar në zonën e Zvërnecit në Shqipëri.
Ajo tha se “qeveria duhet të flasë seriozisht, hapur dhe publikisht, në nivel pan-evropian, për dëbimin e ambasadorit shqiptar”.
Duke iu referuar qëndrimeve të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ajo tha:
“A doni të më thoni se ka sot ndonjë grek që ndihet krenar me këto deklarata? Më thoni pak, a ka shkuar ndonjëherë kryeministri grek, apo mund të shkojë në çdo vend dhe të bëjë fushatë zgjedhore? A mund të hyjë e të dalë ku të dojë, kur të dojë dhe të mbledhë njerëz?”
Ajo shtoi se do e ngrejë këtë çështje në Evropë, “jo vetëm me ankesa, por duke kërkuar rezoluta, siç kemi bërë më parë”, duke kritikuar edhe eurodeputetët e Demokracisë së Re se nuk po veprojnë.
