Vendosni fjalën kyçe....

“Kush flet në emër të shqiptarëve, mos të harrojë se shqiptarët i përfaqësoj unë”, thotë Rama



Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur protestuesve që kanë kërkuar dorëheqjen e tij dhe të qeverisë, duke deklaruar se mandatin e ka marrë nga qytetarët dhe se nuk do të lëvizë nga përgjegjësia që i kanë besuar shqiptarët.

Gjatë një deklarate për mediat, Rama komentoi thirrjet për largimin e tij nga detyra, ndërsa u ndal edhe te refuzimi i dialogut nga ana e protestuesve që kundërshtojnë projektin në Zvërnec.

“Dorëheqjen e kujt?!”, tha Rama me ironi, duke shtuar se kërkesat për largimin e tij janë pjesë e një “filmi të vjetër”.

Kreu i qeverisë theksoi se është i gatshëm të dialogojë me qytetarët që e kanë votuar, por jo me ata që, sipas tij, janë të motivuar politikisht.

“Nuk kam kërkuar që të bisedoj me ata që janë të kurdisur dhe ata që janë të çartur, por kam kërkuar me ata që më kanë votuar. Kam respekt për ta dhe jam gati të bisedoj me ta”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se qytetarët që kanë dalë në protestë nuk e kanë bërë këtë për të përsëritur, sipas tij, një skenar të vjetër politik.

“Asgjë nuk më lëviz mua nga istikami ku më kanë vendosur shqiptarët. Kush flet në emër të shqiptarëve, mos të harrojë se shqiptarët i përfaqësoj unë”, deklaroi kryeministri.