Irani ka akuzuar Kuvajtin dhe Bahreinin se mbajnë përgjegjësi për sulmet e fundit amerikane ndaj objektivave iraniane, duke deklaruar se do të përdorë të gjitha mjetet e disponueshme për t’u vetëmbrojtur, përcjell Reuters.
Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Jashtme iraniane, Teherani dënoi atë që e cilësoi si sulm të Shteteve të Bashkuara ndaj një cisternë nafte iraniane në Ngushticën e Hormuzit dhe ndaj një kulle telekomunikacioni në ishullin Qeshm.
Sipas autoriteteve iraniane, këto veprime përbëjnë shkelje të marrëveshjes së armëpushimit dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Ministria iraniane deklaroi se Kuvajti dhe Bahreini mbajnë “përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe të qartë”, duke pretenduar se territori dhe objektet e tyre janë përdorur për të mbështetur operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit.
Teherani theksoi se rezervon të drejtën për vetëmbrojtje dhe paralajmëroi se do të kundërpërgjigjet ndaj çdo sulmi të ardhshëm, duke goditur burimin nga ku do të nisen sulmet.
Ndërkohë, tensionet në rajon janë rritur më tej pasi Autoriteti i Aviacionit Civil i Kuvajtit bëri të ditur se Aeroporti Ndërkombëtar i Kuvajtit, i cili ishte dëmtuar nga një sulm iranian me dronë dhe raketa gjatë kësaj jave, kishte rifilluar plotësisht operacionet vetëm dy ditë më parë.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Kuvajtit, terminali kryesor i pasagjerëve (T1) ishte rikthyer në funksion të plotë pas riparimit të dëmeve të shkaktuara nga sulmet e mëparshme iraniane.
Përplasjet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të mbajnë të lartë tensionin në Gjirin Persik, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike për tregtinë globale të naftës.
