Kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti i planifikuar në Zvërnec do të vijojë përpara, pavarësisht kundërshtimeve dhe protestave të ditëve të fundit, duke argumentuar se investimet në turizmin e luksit sjellin përfitime të mëdha ekonomike për komunitetet dhe vendin.
Gjatë një konference të mbajtur këtë të hënë, Rama solli si shembull resortin Costa Navarino në Greqi dhe zhvillimin e turizmit në Mal të Zi, duke theksuar se modelet e tilla kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe të ardhurat e qytetarëve.
“Shumica e popullit grek nuk shkon të flejë në Costa Navarino, por populli grek përfiton nga të ardhurat që sjell. Një natë në resort gjeneron shumë më tepër vlerë ekonomike për komunitetin se sa 1 mijë net me kosto të ulët”, u shpreh Rama.
Sipas tij, suksesi ekonomik i Malit të Zi lidhet ngushtë me zhvillimin e turizmit elitar.
“Turizmi mbështet 1 në çdo 4 vende pune. Rritja e numrit të turistëve është arsyeja kryesore e rritjes së ekonomisë. Këtë sukses e ka nga turizmi i luksit, ku nuk shkojnë malazezët e zakonshëm, por prej të cilit malazezët e zakonshëm kanë paga më të larta”, tha kryeministri.
Ai argumentoi se ndikimi ekonomik i turistëve me fuqi të lartë blerëse është shumë më i madh për bizneset lokale dhe ekonominë kombëtare.
“Kur një turist paguan 100 euro në ditë, diçka fitojnë ata që mikpresin. Kur një turist paguan 2 mijë euro në natë, fitojnë bizneset lokale rreth e rrotull dhe në fund fiton pensionisti”, deklaroi Rama.
Duke iu referuar kundërshtimeve ndaj projektit në Zvërnec, kreu i qeverisë theksoi se investimi nuk do të ndalet, por shtoi se mbetet i gatshëm për dialog.
“Investimi nuk ndalet, por jam i hapur të flas”, tha ai.
Rama kritikoi gjithashtu qasjen e kundërshtarëve të projektit, duke u shprehur se përpjekjet për të bllokuar zhvillimin nuk kanë funksionuar dhe nuk do të funksionojnë.
“Teoria ‘ndalu ti se jemi ne’, me mua nuk ka funksionuar dhe nuk do të funksionojë sa kohë jam këtu. Populli është ai që flet ditën e zgjedhjeve”, deklaroi kryeministri.
