Vendosni fjalën kyçe....

Irani pezullon bisedimet me SHBA-në, kërkon ndaljen e operacioneve izraelite në Liban dhe Gaza


Irani ka pezulluar shkëmbimin indirekt të mesazheve me Shtetet e Bashkuara për shkak të sulmeve izraelite në Liban, ndërsa ka vendosur si kusht për rifillimin e kontakteve ndaljen e operacioneve ushtarake të Izraelit në Liban dhe Gaza.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia iraniane Tasnim, e konsideruar pranë Gardës Revolucionare Islamike dhe krahut më konservator të establishmentit iranian. Sipas raportimit, ekipi iranian që po negocion me Uashingtonin ka ndërprerë komunikimet përmes ndërmjetësve.

“Nuk do të ketë bisedime derisa të përmbushen kërkesat e Iranit për ndalimin e operacioneve izraelite në Liban dhe Gaza,” raportoi Tasnim, duke shtuar se Teherani kërkon gjithashtu tërheqjen e plotë të Izraelit nga territoret e marra nën kontroll në Liban, përcjell Ynet.

Sipas raportit, qëndrimi i Iranit synon të lidhë çdo marrëveshje të ardhshme me SHBA-në me një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut, çka do të kufizonte lirinë e veprimit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit në Liban dhe do t’i lejonte grupit shiit të vazhdonte aktivitetin e tij.

Një ditë më parë, Tasnim raportoi duke cituar një burim të njohur me negociatat se Irani synon të paraqesë amendamentet e veta në draft-marrëveshjen me SHBA-në, pas ndryshimeve të bëra nga presidenti amerikan Donald Trump.

“Shkëmbimi i teksteve po vazhdon dhe Irani do të bëjë gjithashtu ndryshimet e veta. Asgjë nuk është përfundimtare ende,” citohet të ketë deklaruar burimi.

Po i njëjti burim theksoi se ndryshimet e propozuara nga Trump nuk nënkuptojnë automatikisht pranimin e tyre nga Teherani.

“Për Iranin kriter është një tekst që ne vetë e pranojmë,” tha ai, duke shtuar se vendi është i përgatitur edhe për një rifillim të mundshëm të luftimeve nëse nuk arrihet marrëveshje.

“Irani është plotësisht i përgatitur për një situatë ku nuk arrihet asnjë mirëkuptim,” shtoi burimi.

Deklaratat vijnë pasi Trump paralajmëroi në një intervistë për Fox News se, megjithëse preferon arritjen e një marrëveshjeje, është i gatshëm të rikthejë veprimet ushtarake nëse negociatat dështojnë.

“Jemi afër një marrëveshjeje shumë të mirë,” tha Trump, por shtoi se nëse SHBA-ja “nuk merr atë që dëshiron”, atëherë çështja do të zgjidhet “në një mënyrë tjetër.”

Bisedimet SHBA-Iran kishin hyrë ditët e fundit në një fazë të avancuar. Raportimet e javës së kaluar sugjeronin se palët kishin arritur dakordësi mbi një memorandum paraprak që do t’i jepte fund luftës, përfshirë edhe situatën në Liban, megjithëse formulimi i saktë i dokumentit mbetet i paqartë.

Sipas raportimeve, memorandumi do të përfshinte heqjen e bllokadës iraniane në Ngushticën e Hormuzit, lehtësimin gradual të kufizimeve amerikane ndaj porteve iraniane dhe zbutjen e disa sanksioneve ekonomike. Megjithatë, ai nuk do të zgjidhte menjëherë mosmarrëveshjen mbi programin bërthamor të Iranit, por do të hapte një periudhë 60-ditore negociatash për një marrëveshje përfundimtare.

Pavarësisht progresit të raportuar, negociatat kanë ngecur për shkak të mospajtimeve mbi kufizimet e programit bërthamor iranian dhe kërkesës së Teheranit për lirimin e menjëhershëm të të paktën 12 miliardë dollarëve nga asetet e ngrira jashtë vendit.

Të premten, Trump njoftoi se kishte mbledhur këshilltarët e tij më të lartë në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë për të marrë një “vendim përfundimtar”, por sipas raportimeve, takimi nuk prodhoi një vendim konkret.

Ndërsa të shtunën u raportua se presidenti amerikan ishte irrituar nga fakti që miratimi final i marrëveshjes nuk ishte siguruar ende nga lideri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, duke kërkuar ndryshime të reja në draftin e negociatave.