Ndeshjet e fundit të sezonit 2019/20 të Bundesligës u zhvilluan sot, kur, pas disa befasive, u vendos edhe radhitja përfundimtare në tabelë.
Bayern Munichu veçse e kishte siguruar më parë titullin e kampionit për herë të tetë radhazi, ndërsa Borussia Dortmundi e siguroi vendin e nënkampionit në xhiron paraprake.
Përveç këtyre dyjave, në Ligë të Kampionëve do të marrin pjesë edhe Leipzigu dhe Monchegladbachu, ndërsa në Ligën e Evropës do të luajnë Bayer Leverkusni dhe Hoffenheimi, si dhe Wolsburg në kualifikime.
Në anën tjetër, Paderborni i Klaus Gjasulës dhe Fortuna Dusseldorfi tashmë kanë rënë nga liga dhe sezonin vijues do të garojnë në Bundesligën 2.
Werder Bremeni i Milot Rashicës e mbyll sezonin në pozitën e 16-të, që do të thotë se do të luajë kundër klubit të radhitur në pozitën e tretë në Bundesligën 2 për të luftuar për një vend në edicionin e ardhshëm të Bundesligës.