Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa: Zvërneci është simboli i rrezikut që kërcënon çdo zonë të mbrojtur në Shqipëri


Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar lidhur me situatën në Zvërnec, duke e cilësuar atë si simbol të një rreziku që, sipas saj, kërcënon të gjitha zonat e mbrojtura në Shqipëri.

Përmes një deklarate publike, Zhupa tha se ndërhyrjet në zonat e mbrojtura nuk janë raste të izoluara, por pasojë e drejtpërdrejtë e Ligjit 21/2024, të cilin ajo e kundërshton prej kohësh.

“Zvërneci sot është simboli i një rreziku që kërcënon çdo zonë të mbrojtur në Shqipëri. Fadromat që afrohen drejt natyrës sonë nuk janë rastësi, por pasojë e drejtpërdrejtë e Ligjit 21/2024, ligjit që hapi rrugën për ndërtime dhe ndërhyrje në territore që duhej të ruheshin për brezat e ardhshëm dhe janë pasuri kombëtare,” u shpreh deputetja demokrate.

Sipas Zhupës, zgjidhja e situatës është shfuqizimi i këtij ligji përmes një nisme që ajo ka depozituar në Kuvend.

“Zgjidhja është e thjeshtë dhe konkrete: Kuvendi të votojë propozimin tim ligjor për shfuqizimin e Ligjit 21/2024. Me shfuqizimin e tij, mbyllet rruga ligjore për grabitjen e pasurive tona natyrore dhe largohen fadromat nga Zvërneci dhe nga çdo zonë tjetër e mbrojtur,” deklaroi ajo.

Deputetja e PD-së tha se kryeministri Edi Rama ka pranuar publikisht se projekti në fjalë ishte planifikuar prej vitesh.

“Edi Rama pranoi një të vërtetë të vetme sot, që ka që nga viti 2023 që e planifikon,” tha Zhupa.

Ajo kujtoi gjithashtu kundërshtimin që ka shprehur ndaj ndryshimeve ligjore që prej fillimit të vitit 2024, duke renditur aktivitetet dhe nismat që ka ndërmarrë në mbrojtje të zonave të mbrojtura.

“Edhe në fillim të vitit 2024 kemi paralajmëruar pasojat e ndryshimeve ligjore që u bënë për të shkatërruar zonat e mbrojtura. Pikërisht për këtë arsye Bashkimi Europian sot kërkon shfuqizimin e këtij ligji,” theksoi ajo.

Sipas Zhupës, gjatë kësaj periudhe ajo ka zhvilluar 72 deklarata publike, katër tryeza ekspertësh në të gjithë Shqipërinë, ka marrë pjesë në tre seanca në Gjykatën Kushtetuese, ka zhvilluar dy interpelanca parlamentare dhe ka mbajtur qindra fjalime e deklarata publike mbi çështjen.

Deputetja demokrate u bëri thirrje deputetëve që të mbështesin nismën ligjore të depozituar prej saj.

“Keni në tavolinë një propozim ligjor që mund ta mbyllë përfundimisht derën për çdo grabitqar të pasurisë publike. Tani është momenti që secili të zgjedhë se në cilën anë qëndron: me natyrën, me interesin publik dhe me të ardhmen e Shqipërisë, apo me ata që kërkojnë të përfitojnë në kurriz të saj,” deklaroi Zhupa.

Në fund të reagimit të saj, ajo shprehu besimin se të rinjtë do ta kuptojnë rëndësinë e kësaj kauze.

“Kjo nuk është thjesht një betejë për Zvërnecin, por për Shqipërinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Është detyrimi ynë ta mbrojmë dhe t’ua dorëzojmë brezave që vijnë më të bukur dhe më të shëndetshme sesa e gjetëm,” përfundoi deputetja e Partisë Demokratike.