Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar një nivel rekord investimesh të huaja prej 93 miliardë eurosh në kuadër të forumit ndërkombëtar “Choose France”, duke e cilësuar këtë si edicionin më të suksesshëm që nga krijimi i nismës në vitin 2018.
Gjatë aktivitetit të zhvilluar në Pallatin e Versajës, ku morën pjesë rreth 200 drejtues kompanish nga e gjithë bota, Macron deklaroi se investimet e konfirmuara do të krijojnë më shumë se 15 mijë vende pune dhe do të forcojnë pozicionin e Francës në sektorët strategjikë të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, përcjell Euronews.
“Vetëm ky edicion i ‘Choose France’ do të bëjë të mundur materializimin e një shume rekord prej 93 miliardë eurosh investime të konfirmuara, për më shumë se 15 mijë vende pune. Është padyshim një edicion rekord dhe historik,” deklaroi Macron.
Shuma e investimeve të shpallura këtë vit tejkalon totalin prej 87 miliardë eurosh të mbledhura gjatë tetë viteve të mëparshme të kësaj nisme.
Një nga projektet më të mëdha vjen nga gjiganti japonez i teknologjisë SoftBank, i cili do të investojë 45 miliardë euro në Francë deri në vitin 2031 për zhvillimin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale dhe ndërtimin e qendrave të të dhënave në veri të vendit.
Macron tha se investimet do të përqendrohen kryesisht në inteligjencën artificiale, qendrat e të dhënave, gjysmëpërçuesit, mineralet kritike, prodhimin industrial, çelikun, sektorin e shëndetësisë dhe industrinë e automjeteve.
“Këto projekte do ta bëjnë Francën vendin kryesor në Europë për qendrat e të dhënave dhe kapacitetet llogaritëse, si dhe një bazë të rëndësishme për prodhimin e robotëve me inteligjencë artificiale,” u shpreh presidenti francez.
Ndër investimet e tjera të rëndësishme, kompania kanadeze Brookfield do të investojë 8.5 miliardë euro në një qendër të madhe të dhënash në veri të Francës, ndërsa grupi Ardian dhe platforma nordike Verne do të investojnë 4.2 miliardë euro në një tjetër qendër të ngjashme në rajonin e Parisit.
Gjiganti amerikan Salesforce ka njoftuar investime prej 1.7 miliardë eurosh deri në vitin 2030, përfshirë krijimin e një qendre të inteligjencës artificiale në Paris. Ndërkohë, kompania tajvaneze Foxconn pritet të investojë 120 milionë euro në qytetin Angers për një linjë prodhimi të komponentëve të dedikuar për inteligjencën artificiale.
Edhe Amazon ka konfirmuar zgjerimin e investimeve të saj në Francë, duke njoftuar krijimin e një mijë vendeve të reja pune në tre qendra logjistike, përveç planit të shpallur më herët për investime mbi 15 miliardë euro gjatë tre viteve të ardhshme.
Sipas të dhënave të publikuara gjatë forumit, Franca ka qenë vendi që ka tërhequr më shumë investime të huaja në Europë për shtatë vite radhazi. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se pavarësisht rekordit të ri, disa sektorë tradicionalë industrialë, si industria automobilistike, kimike dhe metalurgjike, vazhdojnë të përballen me vështirësi.
Macron ka vendosur si objektiv shndërrimin e Francës në një nga liderët botërorë të inteligjencës artificiale, duke mbështetur paralelisht investime publike prej 1.55 miliardë eurosh në teknologjitë kuantike dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve.
