
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj qëndrimit të autoriteteve greke për incidentin e ndodhur në Zvërnec, ku një protestues u tërhoq nga një roje private, duke e cilësuar reagimin e Athinës si të tepruar dhe të dëmshëm për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Gjatë një deklarate publike, Rama sqaroi se projekti fillestar për zonën ishte rrëzuar nga administrata shqiptare, jo për shkak se ishte i papërshtatshëm, por sepse synohej një zhvillim më i madh. Ai theksoi se toka ku parashikohet investimi është pronë private e regjistruar prej vitesh dhe se negociatat me pronarët janë çështje që u përkasin palëve.
Kryeministri u ndal edhe te çështja e rrethimit të pronës, duke theksuar se kjo është një e drejtë ligjore e çdo pronari. Sipas tij, pretendimet për pronësi në atë territor janë legjitime, por ai u shpreh i habitur nga referencat për një “popullsi homogjene greke” në zonë.
Rama kritikoi deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, duke nënvizuar se ngjarja nuk përbënte një akt dhune shtetërore, por një incident të shkaktuar nga një grup rojesh private.
“Mahnitja ime erdhi nga deklarata e Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Nuk ishte një akt dhune shtetërore. Ishte një akt dhune nga një grup rojesh private dhe ngritja e shtetit në këmbë, duke nënvizuar etninë, nuk i shërben marrëdhënieve tona që janë në ditët e tyre më të mira”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se qeveria shqiptare mbetet e fokusuar te projekti i ishullit të Sazanit, për të cilin negociatat ende nuk kanë përfunduar, pasi shteti shqiptar synon të ruajë interesat e tij në këtë investim.