Vendosni fjalën kyçe....

“Projekti i Zvërnecit në pronë private të regjistruar para se të vinim në pushtet, rojet private do ndiqen penalisht” – Lamallari


Ministri i Brendshëm Lamallari ka folur mbi atë që po ndodh me përplasjet në Zvërnec.

Që në rreshtat e parë ai sqaron se projekti i Zvërnecit lidhet me tokë private që u ëshë kthyer pronarëve dhe është regjistruar në hipotekë para se PS-ja të vinte në pushtet.

Ai shton më tej se pavarësisht këtij fakti, rojet private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcën ndaj askujt dhe po ndiqen penalisht për atë që ndodhi ditën e djeshme.

“Projekti i Zvërnecit lidhet me një tokë tërësisht private dhe qeveria shqiptare as ka falur tokë, as ka tokë për të falur – jo vetëm sepse ne nuk i kemi falur ndonjëherë tokë askujt, po edhe sepse në këtë rast ajo pronë u është kthyer pronarëve dhe është regjistruar në hipotekë, vite përpara sesa ne të vinim në qeveri. Po nëse prona është private, rojet private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt dhe jo vetëm ata si individë duhet të ndiqen penalisht, siç po ndiqen po edhe për kompaninë e tyre  hetimi administrativ për paaftësi totale në ushtrimin e aktivitetit të autorizuar, duhet të mbyllet sa më parë të jetë e mundur.” – shkruan ai në Facebook.

Më tej ministri vlerëson reagimin e kreut të Policisë së Shtetit si dhe nisjen e hetimeve ndaj zinxhirit drejtues të policisë së Vlorës ndërsa premton vijimin e goditjes së elementëve të korruptuar në radhët e policisë.

“E përshëndes reagimin e shpejtë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe vënien nën hetim të zinxhirit të komandimit, sepse nuk ishte e papranueshme vetëm sjellja skandaloze e rojeve private, po edhe indiferenca e pajustifikueshme e policisë së pranishme në vend. Goditja brenda radhëve të Policisë së Shtetit, që nisi në Sarandë dhe ka vazhduar në Vlorë, do të jetë një konstante e punës së strukturave tona në këtë kapitull të ri të drejtimit të tyre. Uniformat blu janë dhe duhet të jenë në çdo rast, garante të rendit ligjor, ku mbrojtja e pronës publike apo private janë një pjesë thelbësore. Por po ashtu ato duhet të garantojnë edhe  pacënueshmërinë e besimit të qytetarëve tek uniforma e policisë, prandaj çdo devijim nga këto parime do të goditet përmes bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave drejtuese të policisë dhe të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.” – mbyll reagimin Lamallari.