Vendosni fjalën kyçe....

Hita pezullon drejtorin e Policisë së Vlorës, raportoi gabim ndalimin e qytetarit gjatë protestës në Zvërnec


Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, është pezulluar nga detyra me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pas një raportimi të gabuar të bërë nga policia vendore.

Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit kërkoi ndjesë publike për pasaktësinë në komunikatën e mëparshme, duke theksuar se cenimi i besimit të publikut nuk tolerohet.

Ndërkohë u sqarua se territori i përfshirë në protestë është pronë private me dokumentacion të rregullt dhe se çështje të tilla duhet të ndiqen në rrugë ligjore.

 

 

Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit:

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.

Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.

Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.

Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.

Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor.