Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni “Zonat” në Tiranë, arrestohet një 37-vjeçar që shpërndante kokainë



Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Zonat”, në kuadër të goditjes së rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.

Si rezultat i kontrolleve dhe veprimeve hetimore, në pranga është vënë Ksainel Caka, 37 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike në zona të ndryshme të qytetit.

Sipas Policisë, 37-vjeçari u arrestua në flagrancë në rrugën “Skënderbej”. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën dhe sekuestruan mbi 200 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se Caka furnizonte persona të tjerë me kokainë, e cila më pas shpërndahej në doza në zona të ndryshme të Tiranës.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.