Vendosni fjalën kyçe....

PD mbledh sot Kuvendin Kombëtar, priten ndryshime statutore dhe zgjedhja e anëtarëve



Partia Demokratike zhvillon sot mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, takimi i parë i rëndësishëm politik pas rikonfirmimit të Sali Berishës në krye të partisë.

Punimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të hapen nga Erisa Bajaziti, përfaqësuese e diasporës shqiptare në Bruksel dhe ish-kandidate e PD-së në zgjedhjet parlamentare.

Gjatë mbledhjes, drejtuesi i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, pritet të paraqesë propozimet për ndryshimet statutore, të cilat do t’i nënshtrohen diskutimit dhe votimit nga delegatët.

Në rendin e ditës është parashikuar gjithashtu miratimi i përbërjes së re të Këshillit Kombëtar, një nga strukturat kryesore drejtuese të partisë.

Kuvendi pritet të përcaktojë edhe orientimet politike dhe organizative që demokratët do të ndjekin në vijim. Sipas informacioneve të bëra publike më herët, ndryshimet statutore nuk do të prekin të ashtuquajturin “Neni Basha”, që parashikon kufizime për drejtuesit që humbasin zgjedhjet, si dhe nuk do të ndryshojnë mekanizmin e Primareve për përzgjedhjen e kandidatëve.