Vendosni fjalën kyçe....

Spanja prezanton superkompjuterin e tretë kuantik, investim 9.8 milionë euro për AI dhe kërkimin shkencor



Spanja ka prezantuar superkompjuterin e saj të tretë kuantik, një investim prej 9.8 milionë eurosh që synon të përshpejtojë kërkimin shkencor dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale, përcjell Euronews.

Qendra e Superkompjuterëve në Barcelonë ka shtuar një kompjuter të ri kuantik që do të integrohet në sistemin “MareNostrum 5”, i aftë të kombinojë superkompjuterët klasikë, inteligjencën artificiale dhe teknologjinë kuantike.

Makina e re është projektuar dhe ndërtuar nga kompania katalanase Qilimanjaro Quantum Tech dhe është financuar nga Komisioni Europian si edhe Sekretariati Shtetëror i Spanjës për Digjitalizimin dhe Inteligjencën Artificiale.

Ndryshe nga dy kompjuterët kuantikë të mëparshëm, kjo pajisje e re funksionon si kompjuter kuantik analogjik. Teknologjia kuantike përdor “qubits”, të cilat mund të përfaqësojnë disa gjendje njëkohësisht, duke mundësuar zhvillimin e algoritmeve shumë më të fuqishme dhe zgjidhjen e problemeve që kompjuterët tradicionalë mezi arrijnë t’i përpunojnë.

Tre kompjuterët kuantikë të BSC-së ndodhen në kapelën historike të Torre Girona në Barcelonë, e njëjta hapësirë ku u instaluan katër versionet e para të superkompjuterit “MareNostrum” mes viteve 2005 dhe 2023.

Pjesa kuantike e “MareNostrum 5” njihet si “MareNostrum Ona”. Dy kompjuterët e parë, të aktivizuar në shkurt 2025, kanë regjistruar mbi 4,200 orë përpunimi dhe janë përdorur në 53 projekte kërkimore të përzgjedhura nga Rrjeti Spanjoll i Superkompjuterëve.

Ky superkompjuter i ri do të integrohet edhe në rrjetin evropian të kompjuterëve kuantikë të promovuar nga EuroHPC Joint Undertaking, programi përmes të cilit Bashkimi Evropian synon të forcojë kapacitetet e veta teknologjike dhe të reduktojë varësinë nga infrastruktura e vendeve të treta.

Ministrja katalanase për Kërkimin dhe Universitetet, Núria Montserrat, deklaroi se projekti “forcon sovranitetin teknologjik evropian përballë kompanive të mëdha amerikane të teknologjisë”, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të teknologjive evropiane me mbështetje publike dhe bashkëpunim me partnerët e BE-së.