
Një zjarr përfshiu gjatë natës një konvikt në një shkollë të mesme për vajza në një qytet në rajonin Rift Valley të Kenias, duke vrarë të paktën 16 nxënëse, njoftoi qeveria të enjten.
Zjarri shpërtheu pak pas mesnatës në shkollën e mesme për vajza “Utumishi Girls’ Academy Senior School” në Gilgil, në pjesën perëndimore-qendrore të Kenias, dhe vazhdoi të digjej për më shumë se dy orë, tha ministri i Arsimit, Julius Migos, para gazetarëve.
Ai tha se 79 nxënëse të tjera u plagosën, megjithëse 71 prej tyre ishin liruar tashmë nga spitali. Nxënëset në këtë shkollë janë të moshës 15 deri në 18 vjeç.
“Hetimet janë duke vazhduar, por shkaku i zjarrit ende nuk është identifikuar,” tha Migos.
Një punonjës i emergjencës thotë se një nxënëse i vuri flakën dyshekut
Duke folur para gazetarëve në shkollë, ministri i Brendshëm Kipchumba Murkomen u bëri thirrje njerëzve të mos spekulojnë mbi shkakun e zjarrit.
Megjithatë, disa të mbijetuara u thanë ekipeve të para të emergjencës se një nxënëse kishte ndezur një dyshek me shkrepëse, tha një punonjës i emergjencës, i cili kërkoi të mos identifikohej sepse nuk ishte i autorizuar të fliste me mediat.
Ai tha se nuk dihej motivi i mundshëm i nxënëses.

Zjarret në shkollat keniane janë të zakonshme, me më shumë se 100 raste të regjistruara gjatë vitit 2024, sipas qeverisë. Studiuesit kanë gjetur se shumë prej tyre shkaktohen nga nxënës që protestojnë kundër disiplinës së ashpër dhe kushteve të këqija.
Nxënëset mbetën të bllokuara në katin e sipërm
Dyert në katin e dytë, aty ku nisi zjarri, ishin fillimisht të mbyllura dhe disa nxënëse humbën jetën duke u hedhur nga dritaret, tha punonjësi i emergjencës. Zjarri theu xhamat e dritareve dhe la muret e shkollës të nxira nga tymi.
Jashtë shkollës të enjten, qindra familjarë u mblodhën për të marrë lajme për të afërmit e tyre. Nxënëse të plagosura mund të shiheshin, disa duke çaluar me gjymtyrë të fashuara, ndërsa të tjera transportoheshin nga policët.
Banorja lokale Wambui Nderitu tha se kishte nxituar drejt shkollës rreth orës 4 të mëngjesit për të kërkuar vajzën e hallës së saj.

“Fatmirësisht e gjeta fëmijën e saj, por ishte lehtë e plagosur. Ajo më tha se ndodhej në konviktin e katit të poshtëm dhe kjo ishte arsyeja pse arriti të shpëtonte,” tha Nderitu për televizionin lokal Asulab TV. “Shumë nga ato që ishin lart u hodhën nga ballkoni.”
Një tjetër banore lokale, Leah Wanjiru, tha për Asulab TV:
“Dëgjova fëmijët duke bërtitur… kështu që dola jashtë për të parë dhe pashë që shkolla ishte në flakë… Filluam të sillnim ujë, duke u përpjekur të ndihmonim në shuarjen e zjarrit dhe shpëtimin e njerëzve.”
Një zjarr në vitin 2024 në një shkollë fillore me konvikt në qarkun fqinj Nyeri vrau 21 nxënës. Shkaku i tij nuk u përcaktua kurrë përfundimisht.
Në zjarrin më të rëndë shkollor të viteve të fundit, 67 nxënës humbën jetën në vitin 2001 në shkollën e mesme Kyanguli, pranë Nairobisë, një incident që autoritetet ia atribuuan zjarrvënies, shkruan Reuters.