Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka nisur një hetim penal ndaj shkrimtares E. Jean Carroll, e cila akuzoi presidentin amerikan Donald Trump për sulm seksual dhe shpifje.
Sipas raportimeve të CBS News, hetimi po shqyrton nëse Carroll ka kryer dëshmi të rreme gjatë proceseve civile që ajo zhvilloi kundër Trumpit.
Carroll, ish-kolumniste reviste, fitoi dy procese gjyqësore ndaj Trumpit, ku juritë e shpallën presidentin përgjegjës për sulm seksual dhe shpifje.
Vendimet u lanë në fuqi edhe pas apelimeve, megjithëse Trump i është drejtuar tashmë Gjykatës Supreme për rrëzimin e tyre.
Presidenti amerikan i ka mohuar vazhdimisht akuzat.
Hetimi i ri fokusohet tek një deklaratë që Carroll dha në vitin 2022, ku pretendoi se nuk kishte marrë financime të jashtme për padinë civile kundër Trumpit.
Megjithatë, më vonë u zbulua se bashkëthemeluesi i LinkedIn, Reid Hoffman, kishte kontribuar në mbulimin e një pjese të shpenzimeve ligjore të saj.
Çështja u trajtua edhe gjatë apelimit, ku Gjykata Federale e Apelit argumentoi se Carroll “në mënyrë të besueshme mund të ketë harruar financimin e kufizuar të siguruar nga avokatët e saj”.
Sipas CBS, hetimi po drejtohet nga Zyra e Prokurorit Federal për Distriktin Verior të Illinois.
Nga ana tjetër, CNN raportoi se një prej organizatave që ndihmoi në mbulimin e kostove ligjore të Carroll ndodhet në Chicago.
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i përkohshëm amerikan, Todd Blanche, i cili më parë kishte përfaqësuar personalisht Trumpin në apelimet kundër Carroll, është tërhequr nga çështja për shkak të konfliktit të interesit.
Që prej rikthimit në detyrë, Trump ka kërkuar vazhdimisht nga Departamenti i Drejtësisë që të hetojë dhe ndjekë penalisht kundërshtarët e tij politikë.
