
Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partise Demokratike, deklaroi se PD synon një transformim të domosdoshëm për rikthimin e votës së lirë dhe ardhjen e PD-së në pushtet.
Berisha theksoi se riorganizimi i partisë do të fokusohet te demokracia e brendshme, konsultimi me anëtarësinë dhe hapja ndaj prurjeve të reja në të gjitha nivelet.
‘PD do të arrijë atë transformim të domosdoshëm për të përmbushur një mision historik të saj, dhe misioni historik i PD është rikthimi i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe rikthimi i PD në pushtet.
Në të gjithë këtë përpjekje, ne synojmë të angazhojmë, të mobilizojmë çdo potencial për përmbushjen e misionit tonë të vështirë.
Në këtë udhëtim, ne mbështetje më kryesore kemi lirinë, demokracinë e kësaj partie, konsultën me anëtarësinë, ripërtëritjen e saj të fuqishme me anëtarësime të reja, ripërtëritjen e saj në të gjitha nivelet.
PD do të jetë parti e seksionit. Riorganizimi nënkupton anëtarësime të reja dhe zhdukjen e çdo barriere që pengon afrimin e anëtarëve të rinj. Do të hapim dyert në të gjitha nivelet për prurje të reja”, u shpreh Berisha.