Vendosni fjalën kyçe....

Reuters: Zyrtarët iranianë zhvillojnë bisedime në Katar për marrëveshjen e mundshme me SHBA-në


Negociatori kryesor i Iran dhe ministri i Jashtëm iranian ndodhen në Doha për bisedime me kryeministrin e Qatar mbi një marrëveshje të mundshme me SHBA për t’i dhënë fund luftës tre mujore në rajon, raportoi Reuters duke cituar një zyrtar të informuar mbi vizitën.

Sipas burimit, diskutimet janë fokusuar kryesisht te Ngushtica e Hormuzit dhe rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar, ndërsa pjesë e delegacionit iranian është edhe guvernatori i bankës qendrore për të diskutuar lirimin e fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit, përcjell Reuters.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi nga Nju Delhi se SHBA do t’i japë diplomacisë “çdo mundësi për të pasur sukses” para se të shqyrtojë alternativa të tjera ndaj Iranit.

“Ekziston një propozim mjaft solid për hapjen e ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e negociatave reale, serioze dhe të kufizuara në kohë për çështjen bërthamore”, tha Rubio.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në Truth Social se bisedimet me Iranin po ecin “shumë mirë”, por paralajmëroi për sulme të reja nëse negociatat dështojnë.

“Ose do të kemi një marrëveshje të madhe për të gjithë, ose nuk do të ketë fare marrëveshje”, shkroi Trump.

Ai përsëriti gjithashtu kërkesën që më shumë vende arabe dhe myslimane t’i bashkohen Marrëveshjeve të Abrahamit, duke përmendur konkretisht Arabinë Saudite dhe Katarin.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se është arritur dakordësi për shumë çështje, por kjo nuk do të thotë se marrëveshja është afër nënshkrimit.

Sipas tij, memorandumi i mundshëm përmban 14 pika dhe fokusohet në përfundimin e luftës dhe heqjen e bllokadës amerikane në Ngushticën e Hormuzit, në këmbim të garancive iraniane për kalim të sigurt të anijeve.

Baghaei tha se aktualisht bisedimet nuk po fokusohen drejtpërdrejt te çështjet bërthamore, të cilat pritet të negociohen gjatë një periudhe 60-ditore nëse marrëveshja paraprake miratohet.

Ndërkohë, mediat iraniane raportuan se Irani ka rrëzuar një dron “armiqësor” me një sistem të ri të mbrojtjes ajrore.

“Ky është një sinjal se asnjë dron i fshehtë nuk mund të depërtojë më në hapësirën ajrore të Gjirit Persik”, cituan mediat iraniane zyrtarë të paidentifikuar.