Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Durrësi: Presim rritje të turistëve, mjekët dhe infermierët janë “ambasadorët” e Shqipërisë


Nga qyteti bregdetar i Durrësit, kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e çeljes zyrtare të sezonit shëndetësor veror 2026.

Gjatë këtij viti, strukturat publike kanë pësuar një zgjerim të ndjeshëm, ku 301 mjekë dhe infermierë të sapoemëruar do të jenë në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve në 36 qendra shëndetësore verore të shpërndara në pikat kyçe turistike të vendit.

Në fjalën e tij drejtuar personelit mjekësor, Rama vuri theksin te pesha e jashtëzakonshme që ata mbajnë për imazhin e vendit, duke i konsideruar si përfaqësuesit e parë të shtetit shqiptar përballë shtetasve të huaj.

“Roli juaj në këtë fazë të vitit është i jashtëzakonshëm, qoftë sa i përket detyrës që lidhet me përkujdesjen ndaj atyre që trokasin në dyert e qendrave shëndetësore verore, qoftë edhe për vetë Shqipërinë. Ju jeni ambasadorët e vendit në këtë kuptim. Jeni ndoshta e vetmja shëmbëlltyrë e shtetit shqiptar që ata takojnë,” – deklaroi kryeministri.

Sipas kreut të qeverisë, forcimi i rrjetit mjekësor vjen si një nevojë emergjente e rritjes së pandalshme të fluksit të pushuesve.

Ai shtoi se pas shifrave rekord të vitit të kaluar, projeksionet e këtij sezoni flasin për një konsolidim dhe rritje të mëtejshme të numrit të turistëve.

Në këtë aktivitet ishin të pranishme edhe Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, si dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako.

Kryebashkiakja Sako ndau parashikimet specifike për qytetin e Durrësit, duke konfirmuar se të gjitha ndërmarrjet dhe shërbimet vendore do të operojnë në terren me kapacitet të plotë gjatë 24 orëve.

“Ne presim nga 1.5 milionë deri në 2 milionë turistë gjatë këtij sezoni turistik në Durrës. Të gjitha shërbimet tona janë 24 orë në punë. 5 qendra shëndetësore janë sezonale. Është shumë e rëndësishme që angazhimi ynë gjatë kësaj periudhe të jetë 24 orë, për të qenë më afër qytetarëve,” – nënvizoi Sako.

Nga ana e saj, ministrja Evis Sala shprehu mirënjohjen për bluzat e bardha që i bashkohen këtij misioni, duke theksuar se puna e tyre e përditshme garanton një sezon të sigurt dhe një standard të lartë të përkujdesjes jetësore, çka ndikon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e suksesshme të industrisë së turizmit në Shqipëri.