Vendosni fjalën kyçe....

Katari dërgon ekip negociator në Teheran për marrëveshjen SHBA-Iran mbi përfundimin e luftës


Një ekip negociator nga Katari ka mbërritur në Teheran në koordinim me Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për të ndihmuar arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës me Iranin dhe do të zgjidhte çështjet e mbetura pezull, raportoi Reuters duke cituar një burim të njohur me negociatat.

“Një ekip negociator nga Katari ndodhet në Teheran këtë të premte”, tha burimi, duke shtuar se delegacioni është atje për të ndihmuar në “arritjen e një marrëveshjeje finale që do të përfundonte luftën dhe do të adresonte çështjet e pazgjidhura me Iranin”.

Katari, i cili ka luajtur rol ndërmjetësues në luftën në Gaza dhe në kriza të tjera ndërkombëtare, ishte distancuar deri tani nga ndërmjetësimi në konfliktin Iran-SHBA, pasi vetë u godit nga sulmet iraniane me raketa dhe dronë gjatë luftës së fundit.

Megjithatë, rikthimi i Dohas në negociata reflekton rolin tradicional të Katarit si aleat i SHBA-së në rajon dhe si kanal komunikimi mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Edhe pse armëpushimi i vendosur pas luftës që nisi më 28 shkurt mbetet në fuqi, negociatat vijojnë të përballen me pengesa të mëdha. Mes çështjeve kryesore mbeten pasurimi i uraniumit nga Irani dhe kontrolli iranian mbi Ngushticën e Hormuzit.

Një burim i lartë iranian deklaroi për Reuters se ende nuk është arritur marrëveshje, por “dallimet janë ngushtuar”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të enjten se ekzistojnë “shenja pozitive”, por shtoi se nuk dëshiron të jetë “tepër optimist”.

“Ka disa sinjale të mira. Nuk dua të jem tepër optimist… do të shohim çfarë do të ndodhë në ditët në vijim”, deklaroi Rubio.

Ai konfirmoi gjithashtu se Pakistani mbetet ndërmjetësi kryesor në bisedime, por theksoi se SHBA-ja po komunikon edhe me vendet e Gjirit, të cilat preken drejtpërdrejt nga konflikti.

Rikthimi i Katarit në negociata vjen pavarësisht se Irani goditi vendin me qindra raketa dhe dronë gjatë konfliktit, duke synuar edhe infrastrukturën civile dhe impiantin strategjik të gazit të lëngshëm në Ras Laffan.

Sipas Reuters, sulmet ndaj Katarit dëmtuan rreth 17% të kapacitetit të eksportit të gazit të lëngshëm të vendit, ndërsa mbyllja de facto e Ngushticës së Hormuzit nga Irani ka bllokuar pothuajse të gjithë eksportin e LNG-së nga Katari.