Vendosni fjalën kyçe....

Rubio: Kuba kërcënim për SHBA-në, një nga sponsorët kryesorë të terrorizmit në të gjithë rajonin


Kuba përbën një “kërcënim për sigurinë kombëtare” për SHBA-në dhe gjasat për një marrëveshje paqësore “nuk janë të larta”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.

Komentet e tij vijnë vetëm një ditë pasi SHBA-të akuzuan ish-presidentin e Kubës, Raul Castro, për vrasje, lidhur me rrëzimin e dy aeroplanëve në vitin 1996, që rezultoi në vrasjen e shtetasve amerikanë.

Rubio tha se preferenca e Uashingtonit ishte “një zgjidhje diplomatike”, por paralajmëroi se Presidenti Donald Trump kishte të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur vendin e tij nga çdo kërcënim.

Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodríguez, e akuzoi Rubion për “gënjeshtra” dhe tha se ishulli nuk kishte përbërë kurrë kërcënim për SHBA-në, shkruan BBC.

Duke folur me gazetarët të enjten, Rubio tha se diplomacia “mbetet preferenca jonë me Kubën”, por shtoi: “Po jem i sinqertë me ju, e dini, gjasat që kjo të ndodhë, duke pasur parasysh se me kë kemi të bëjmë tani, nuk janë të larta.”

Ai gjithashtu akuzoi Kubën se është “një nga sponsorët kryesorë të terrorizmit në të gjithë rajonin”, gjë të cilën Rodríguez e mohoi me forcë në një postim në X.

Ministri i Jashtëm kubanez e kritikoi Rubion për përpjekjen për të “nxitur një agresion ushtarak” dhe akuzoi qeverinë amerikane për sulm “të pamëshirshëm dhe sistematik” të vendit të tij.