Vendosni fjalën kyçe....

Goditet me sende të forta kreu i AKU-së Shkodër Ramir Haderi


Kreu i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Shkodër, Ramir Haderi është goditur me sende të forta mbrëmjen e sotme. Sipas Report Tv, zyrtari është sulmuar nga persona ende të paidentifikuar pranë lagjes “Rus”.

Haderi është goditur me sende të forta dhe qytë pistolete në pjesën e kokës. Drejtori i AKU-së po ecte në këmbë së bashku me bashkëshorten e tij, kur një person i është afruar dhe e ka sulmuar papritur dhe më pas është larguar nga vendngjarja në drejtim të paditur.

Haderi ka marrë plagë në kokë e trup, dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Shkodrës.

Dhuna ndaj Haderit vjen dy ditë pas dhunimi të gazetarit Ervin Dushi, i cili denoncoi pronarin e rrjetit të supermarketeve “Xhenis” dhe dy persona të tjerë. 51-vjeçari I akuzuar Prel Gjoni u ndalua më pas nga policia.

Njoftimi

“Rreth orës 21:30, në Spitalin Rajonal Shkodër është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi R. H., me detyrë drejtor i AKU-së Shkodër, i cili ka deklaruar se në lagjen “Fahri Ramadani” është goditur me sende të forta nga një shtetas ende i paidentifikuar.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.”