Komandanti i Brigadës së 401-të të Blinduar të ushtrisë izraelite, koloneli Meir Biderman, është plagosur rëndë pasi një dron me eksploziv i Hezbollahut goditi forcat izraelite në jug të Libanit.
Sipas ushtrisë izraelite, Biderman ka pësuar një dëmtim serioz në kokë, ndërsa një tjetër oficer me gradën nënkolonel mbeti i plagosur lehtë deri mesatarisht. Familjet e tyre janë njoftuar.
Koloneli Biderman mori drejtimin e Brigadës së 401-të në tetor të vitit 2024, pasi paraardhësi i tij, koloneli Ehsan Daxa, u vra nga një mjet shpërthyes në Jabalia të Gazës veriore.
Në një intervistë të mëparshme për “ynet”, Biderman kishte treguar momentin kur mori lajmin për vdekjen e Daxës.
“Gjatë rrugës erdhi lajmi i hidhur: komandanti i brigadës, koloneli Ehsan Daxa, ishte vrarë. Komandanti i divizionit më preku në shpatull dhe më tha: ‘Ti je tani komandanti i Brigadës 401. Suksese’”, kishte deklaruar ai.
Sipas raportit, situata në jug të Libanit mbetet shumë e tensionuar për trupat izraelite, pavarësisht pretendimeve politike për armëpushim dhe qetësi.
Forcat izraelite kanë reduktuar ndjeshëm lëvizjet gjatë ditës për shkak të rritjes së sulmeve me dronë FPV të Hezbollahut. Shumica e operacioneve tashmë kryhen gjatë natës, ndërsa ushtarët lëvizin nga një shtëpi në tjetrën për të shmangur goditjet.
Raporti thekson se Hezbollahu ka përmirësuar ndjeshëm përdorimin e dronëve FPV, duke lëshuar herë pas here disa dronë njëkohësisht dhe duke tentuar t’i drejtojë drejt pozicioneve ku ndodhen ushtarët izraelitë.
Për t’u mbrojtur, trupat izraelite përdorin rrjeta kundër dronëve dhe kamuflazh, megjithatë burime ushtarake pranojnë se ka mungesa të konsiderueshme të pajisjeve mbrojtëse në terren.
Një burim ushtarak tha se një brigadë ka nevojë për rreth 15 mijë metra katrorë rrjeta mbrojtëse për këmbësorinë, mjetet e blinduara dhe pozicionet e ndjeshme.
“Rreth 120 mijë metra janë shpërndarë deri tani, por nevojiten shumë më tepër”, tha burimi.
Sipas raportit, në disa raste prindërit e ushtarëve kanë mbledhur fonde për të blerë pajisje mbrojtëse, ndërsa zyrtarë të batalioneve kanë përdorur edhe karta personale krediti për të siguruar mbrojtje shtesë për pozicionet e ekspozuara.
