Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati për ambasador i SHBA-së, Eric Wendt vlerëson SPAK: Institucion i pavarur dhe jopolitik


Kandidati i propozuar për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka shprehur një mbështetje të fortë për Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) gjatë seancës dëgjimore në Senatin amerikan.

Gjatë kësaj seance, ndihma amerikane për krijimin e SPAK u konsiderua nga anëtarët e komitetit si një ndër shembujt më të suksesshëm të ndërhyrjes së SHBA-së në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

I pyetur nga një prej senatorëve lidhur me ndikimin që mund të ketë kjo strukturë në përmirësimin e klimës së investimeve në Shqipëri, Wendt ndau përshtypjet e tij maksimale.

Ai theksoi se nga të gjitha të dhënat dhe nga vizitat e tij të mëparshme në vendin tonë, SPAK ka dëshmuar se funksionon me profesionalizëm dhe jashtë ndikimeve politike.

“SPAK, nga çdo gjë që kam lexuar, ka qenë një organizim apolitik, i pavarur dhe i suksesshëm,” deklaroi Wendt para senatorëve.

Kandidati për ambasador vlerësoi procesin e rreptë të përzgjedhjes së prokurorëve, duke e cilësuar atë si një garanci për punën e tyre.

Ai sqaroi se trupa e posaçme i nënshtrohet një verifikimi të imtësishëm, përfshirë testet me poligraf dhe monitorimin e vazhdueshëm nga partnerët ndërkombëtarë, qofshin ata amerikanë apo europianë.

Sipas tij, kjo pavarësi sigurohet përmes një strukture të plotë që përfshin prokurorët e posaçëm, Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Gjykatat Speciale.

“Prokurorët që shkojnë në SPAK kryejnë vetting të rëndësishëm, edhe poligraf. Ata monitorohen nga SHBA dhe europianët,” u shpreh ai.

Nëse do të marrë konfirmimin për të marrë detyrën në Tiranë, Wendt u zotua se do të mbështesë fuqimisht operacionet e SPAK-ut, si një element kyç për balancimin e situatës dhe rritjen e transparencës, çka do të ndihmojë drejtpërdrejt edhe bizneset e huaja.

Për më tepër, ai vlerësoi edhe bashkëpunimin transparent mes autoriteteve shqiptare dhe atyre amerikane, i cili ka sjellë rezultate konkrete në procedimet penale kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe krimit të organizuar.

“Puna e tyre është kritike për sa kohë mbeten të pavarur dhe jopolitikë. Kjo ndikon edhe në klimën e biznesit, rrit transparencën dhe ndihmon bizneset amerikane në Shqipëri duke balancuar situatën,” përfundoi Wendt.