Kandidati për ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka prezantuar vizionin dhe prioritetet e tij përpara Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan.
Gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e tij në këtë post diplomatik, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ushtarak, rolin e Shqipërisë në NATO dhe mbështetjen për investimet amerikane.
Duke vlerësuar lart kontributin e forcave të armatosura shqiptare, me të cilat ka shërbyer edhe në Afganistan, Wendt nënvizoi se Shqipëria është një partnere e besueshme që jo vetëm ka përmbushur detyrimin prej 2% të GDP-së për mbrojtjen, por synon ta rrisë atë në 5%.
Një vëmendje të veçantë ai i kushtoi projektit të portit të Porto Romanos.
“Porto Romano është një nga portet kyçe në Shqipëri. Nëse në të ardhmen do të ketë një terminal të sigurt ngarkesash dhe një infrastrukturë të përshtatshme, ai mund të shërbejë si një pikë shumë e rëndësishme për NATO-n. Përmes korridorit pan-evropian numër 8, pajisjet ushtarake mund të lëvizin lirshëm dhe kjo do të ishte shumë e dobishme si për aleancën, ashtu edhe për bizneset amerikane…”- u shpreh ai.
Mbështetja për bizneset amerikane dhe lufta kundër korrupsionit
Një tjetër pikë thelbësore e dëgjesës ishte angazhimi i tij për të mbrojtur dhe nxitur investimet e SHBA-së në Shqipëri.
Wendt e bëri të qartë se prioriteti i tij do të jetë lehtësimi i rrugës për bizneset amerikane, duke u mbështetur te një klimë më e pastër dhe më e drejtë, e ndihmuar nga institucionet e reja të drejtësisë.
“Puna ime si ambasador është të lehtësoj bizneset amerikane. Të gjitha, pa preferenca. Puna ime është të sigurohem që ta bëj në rrugën e duhur dhe sa i përket korrupsionit, SPAK ka qenë shumë efektiv. Kur të shkoj në terren do të kuptojmë mirë se çfarë po ndodh.”
Këto deklarata konfirmojnë linjën e pandryshuar të diplomacisë amerikane në Tiranë, e cila mbetet e fokusuar te siguria rajonale, thellimi i bashkëpunimit ushtarak përmes infrastrukturës kritike dhe forcimi i shtetit të së drejtës si garanci për zhvillimin ekonomik.
