Vendosni fjalën kyçe....

Rama në Seul: Gadishulli korean tregon se fatet e kombeve varen nga zgjedhjet politike, jo nga fillesa e tyre


Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në Konferencën Aziatike të Lidershipit në Seul të Koresë së Jugut, ku u ndal te roli i vendimmarrjes politike, zhvillimit ekonomik dhe lidershipit në formësimin e të ardhmes së popujve.

Duke marrë si pikënisje kontrastin e thellë në gadishullin korean, Rama theksoi se historia e një vendi nuk është një dënim i paracaktuar, por produkt i zgjedhjeve të tij.

“Koreja është dëshmi që historia ka rëndësi, por e vetme nuk vendos fatin. Nuk ka vend tjetër nga ky gadishull ku kjo ilustrohet më mirë. Fatet e kombeve nuk marrin formë nga aty ku zënë fill, por nga zgjedhjet që bëjmë,” u shpreh kryeministri.

Gjatë fjalës së tij, Rama bëri një paralizëm mes Koresë së Veriut dhe të kaluarës komuniste të Shqipërisë, duke kujtuar periudhën kur vendi ynë vuante nga një izolim ekstrem.

“Shqipëria ka kaluar një periudhë izolimi të ngjashëm me atë që unë e cilësoj si ‘Koreja e Veriut e Europës’, por sot vendi po ndjek një rrugë tjetër, të ndërtimit të institucioneve demokratike, modernizimit dhe integrimit në Bashkimin Europian.”

Kryeministri analizoi gjithashtu modelin e zhvillimit në Azinë Lindore dhe transformimin e vendeve si Japonia, Singapori, Tajvani, Malajzia e Tajlanda, duke vënë theksin te rëndësia e reformave reale përballë dogmave të ngurta.

Sipas tij, sot pragmatizmi po sfidon ideologjinë në mbarë globin, gjë që pasqyrohet edhe në ndryshimet e raporteve historike mes Shqipërisë dhe Kinës.

Në mbyllje, Rama u ndal te sfidat moderne të qeverisjes në epokën e informacionit të shpejtë, duke e përshkruar lidershipin si një mision që duhet t’i rezistojë presionit dhe populizmit të çastit.

“Sot kur komentet vijnë më shpejt se përgjegjësia, kur gjysmë të vërtetat ndjekin çdo hap, lidershipi i vërtetë është të vazhdosh përpara pavarësisht zhurmës.”

Për të ilustruar nevojën e bashkëpunimit dhe solidaritetit njerëzor, kryeministri ndau me të pranishmit edhe një anekdotë simbolike mbi dallimin mes “ferrit dhe parajsës”, duke argumentuar se mirëqenia e një shoqërie varet tërësisht nga aftësia për të punuar së bashku.