Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka njoftuar një reformë të thellë strukturore që parashikon shkrirjen në një institucion të vetëm të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në nivel vendor.
Gjatë një takimi në Vlorë me operatorët e inspektorateve rajonale, Sula pranoi hapur se ndërtimet pa leje mbeten një problem mjaft i mprehtë për të gjithë zonën bregdetare.
“Sa i përket ndërtimeve pa leje, Vlora është plagë, siç është gjithë bregdeti. Rasti i fundit i Sarandës tregon vullnetin e fortë të qeverisë,” u shpreh kryeinspektori, duke vënë theksin te ndërhyrjet e fundit ligjore.
Në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri turistik, Sula bëri të ditur se do të ketë një kontroll të rreptë dhe monitorim 24 orë të të gjitha subjekteve tregtare, hoteleve dhe restoranteve, me fokus të veçantë te siguria ushqimore dhe cilësia e shërbimit.
Për të rritur transparencën, ai njoftoi se javën e ardhshme do të vihet në punë një linjë e re telefonike falas për të gjithë qytetarët që duan të denoncojnë shkeljet.
“Toleranca është zero. Kemi ngritur linjat e komunikimit për t’i dhënë mundësi qytetarëve nëpërmjet një portali, me qëllim që të mos jetë vetëm syri i një inspektori, por edhe i qytetarëve për të informuar. Javën tjetër fillon funksionimi i linjës së gjelbër 0800, pikërisht për të pasur mundësinë e sinjalizimeve nga qytetarët për problematikat.”
Sipas kryeinspektorit, çdo strukturë rajonale do të ngrejë një task-forcë të dedikuar për të parandaluar çdo situatë që mund të dëmtojë imazhin e turizmit shqiptar, ndërsa paralajmëroi masa të ashpra për çdo inspektor që konstatohet në shkelje të detyrës apo që toleron abuzimet në terren.
