Kina ka konfirmuar blerjen e 200 avionëve nga Boeing, marrëveshje e njoftuar fillimisht nga Uashingtoni pas samitit të javës së kaluar mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, përcjell Reuters.
Konfirmimi erdhi nga Ministria kineze e Tregtisë, ndërsa në të njëjtën kohë Xi priti në Pekin presidentin rus Vladimir Putin për një takim dypalësh.
Sipas autoriteteve kineze, Pekini do të kërkojë gjithashtu zgjatjen e armëpushimit tregtar me SHBA-në dhe do të shtyjë për ulje reciproke tarifash për mallra me vlerë mbi 30 miliardë dollarë për secilën palë.
Ndërkohë, i dërguari i Trumpit, Steve Witkoff, pritet të vizitojë Rusinë në të ardhmen e afërt. Lajmi u bë i ditur nga i dërguari special i Putinit, Kirill Dmitriev, sipas raportimeve të grupit të gazetarëve që mbulojnë Kremlinin.
Witkoff ka qenë një nga negociatorët kryesorë në bisedimet për konfliktin me Iranin, si dhe në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare në Ukrainë.
Nga Pekini, Putin deklaroi se raundi i parë i bisedimeve me Xi Jinping ishte “thelbësor”, duke theksuar se partneriteti mes Rusisë dhe Kinës është “shembullor”.
“Do të zhvillojmë bashkëpunimin tonë dhe do të punojmë së bashku në platformat ndërkombëtare”, deklaroi presidenti rus pas takimit.
