Të paktën 100 persona kanë humbur jetën nga shpërthimi i virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa mbi 390 raste dyshohen si të infektuara, bëri të ditur drejtuesi i Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur situatën një emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik.
Sipas raportimeve, të paktën gjashtë shtetas amerikanë janë ekspozuar ndaj virusit gjatë shpërthimit në Kongo. Një prej tyre dyshohet se ka shfaqur simptoma, ndërsa tre të tjerë konsiderohen raste me kontakt të rrezikut të lartë.
Deri tani nuk është konfirmuar nëse ndonjë prej amerikanëve është infektuar.
Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve deklaroi se po mbështet “tërheqjen e sigurt të një numri të vogël amerikanësh të prekur drejtpërdrejt”, pa specifikuar numrin e saktë.
Varianti aktual i Ebola-s shkaktohet nga virusi Bundibugyo, për të cilin aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime të miratuara.
Ndërkohë, sipas CDC-së, në Ugandë janë konfirmuar edhe dy raste të tjera dhe një viktimë.
Mediat amerikane raportojnë se autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e transportimit të qytetarëve amerikanë të ekspozuar drejt një zone karantinimi të sigurt, ndërsa një nga opsionet e përmendura është një bazë ushtarake amerikane në Gjermani.
Gjatë një konference për shtyp, CDC deklaroi se rreziku për përhapjen e virusit në SHBA mbetet i ulët.
Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar gjithashtu nivelin më të lartë të paralajmërimit për udhëtimet drejt Republikës Demokratike të Kongos, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në këtë vend.
OBSH paralajmëroi se shpërthimi mund të jetë shumë më i madh sesa rastet e raportuara deri tani dhe se ekziston rrezik i konsiderueshëm për përhapje lokale dhe rajonale.
Ebola është një sëmundje virale shumë e rrezikshme që transmetohet përmes kontaktit me lëngjet trupore dhe shkakton hemorragji të rënda dhe dështim organesh.
Shpërthimi më i madh i Ebola-s u regjistrua në Afrikën Perëndimore mes viteve 2014-2016, ku u infektuan mbi 28 mijë persona dhe humbën jetën më shumë se 11 mijë veta.
