
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, zhvilloi sot një takim pune me bashkëkryetarët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti.
Në qendër të diskutimeve ishte çështja e përdorimit të gjuhëve gjatë provimit të jurisprudencës, një temë që ka ngjallur debat në vend.
Në njoftimin zyrtar thuhet se palët theksuan nevojën për një qasje të përbashkët dhe të koordinuar, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve që forcojnë besimin e ndërsjellë dhe kontribuojnë në funksionimin institucional.
Po ashtu, u theksua se arsimi dhe dija mbeten baza e një shteti modern, ndërsa institucionet po punojnë për një zgjidhje që do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, duke synuar siguri juridike dhe stabilitet institucional.