
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Jeff Landry, i emëruar nga presidenti Donald Trump vitin e kaluar për të shtyrë përpara kontrollin amerikan mbi Grenlandën, mbërriti në Nuuk të dielën, raportuan mediat vendase.
Landry, i cili është Guvernatori i Luizianës, ka mbështetur edhe më parë synimin e Trump-it për ta bërë territorin e gjerë të Arktikut pjesë të Shteteve të Bashkuara. Kjo ambicie është kundërshtuar ashpër si nga qeveria e Groenlandës, ashtu edhe nga ajo e Danimarkës, të cilat kanë përsëritur vazhdimisht se Groenlanda nuk është në shitje.
Pamjet nga Nuuk të publikuara nga media publike DR treguan Landry-n duke zbritur nga një avion.
Ai është planifikuar të marrë pjesë në konferencën e biznesit “Future Greenland” më 19-20 maj dhe do të shoqërohet nga ambasadori i SHBA-së në Danimarkë, Kenneth Howery.
Organizatori i konferencës, “Business Greenland”, nuk e kishte ftuar Landry-n, por u shpreh se takimi ishte i hapur për këdo që dëshironte të regjistrohej.
Ambasada e SHBA-së në Kopenhagen tha në fillim të kësaj jave se Landry dhe Howery do “takoheshin me një rreth të gjerë groenlandezësh për të dëgjuar dhe mësuar, me qëllim zgjerimin e mundësive ekonomike, ndërtimin e lidhjeve njerëzore dhe rritjen e mirëkuptimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Groenlandës”.
Në përpjekje për të qetësuar tensionet, Groenlanda, Danimarka dhe SHBA-ja ranë dakord në fillim të këtij viti të zhvillonin negociata diplomatike të nivelit të lartë për të zgjidhur krizën, megjithëse rezultati i këtyre bisedimeve të vijueshme nuk është paraqitur ende, shkruan Reuters.
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi në fillim të kësaj jave se rritja e pranisë ushtarake të SHBA-së ishte pjesë e negociatave në vijim me Uashingtonin.
Deri më tani, asnjë takim zyrtar mes Landry-t dhe politikanëve grenlandezë nuk është konfirmuar gjatë vizitës së tij.