Vendosni fjalën kyçe....

Irani e Emiratet Arabe përplasen në takimin e BRICS


Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe u përplasën gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të BRICS në Nju Delhi të enjten, pasi ministri i Jashtëm iranian akuzoi Emiratet për përfshirje të drejtpërdrejtë në operacionet ushtarake kundër vendit të tij, raportuan mediat shtetërore iraniane.

Përplasja vjen një ditë pasi Emiratet mohuan deklaratën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se ai kishte vizituar shtetin e Gjirit gjatë luftës me Iranin. Më herët, ministri iranian i Jashtëm Abbas Araqchi reagoi duke thënë se “ata që bashkëpunojnë me Izraelin për të mbjellë përçarje do mbajnë përgjegjësi”.

“Nuk i përmenda Emiratet në deklaratën time në BRICS për hir të unitetit. Por e vërteta është se Emiratet ishin të përfshira drejtpërdrejt në agresionin kundër vendit tim. Kur nisën sulmet, ata as nuk e dënuan,” cituan mediat shtetërore iraniane të ketë thënë Araqchi të enjten, në përgjigje të komenteve të bëra nga përfaqësuesi e Emirateve.

Mediat shtetërore iraniane nuk specifikuan se çfarë kishte deklaruar përfaqësuesi i Emirateve.

Sipas raportimeve, Araqchi argumentoi se as bazat amerikane dhe as aleanca me Izraelin nuk i ofrojnë siguri Emirateve dhe se ato duhet të rishqyrtojnë politikën ndaj Iranit.

“Ne duhet të jetojmë krah për krah në paqe dhe kjo kërkon marrëdhënie paqësore dhe mirëkuptim të plotë mes dy vendeve,” shtoi Araqchi.

Lufta me Iranin nisi me sulmet amerikane dhe izraelite kundër Iranit më 28 shkurt, ndërsa Teherani u përgjigj duke lëshuar raketa dhe dronë ndaj bazave amerikane dhe objektivave të tjera në vendet e Gjirit.

The Wall Street Journal publikoi të hënën një raport ku thuhej se Emiratet kryen operacione ushtarake kundër Iranit në fillim të prillit. Po ashtu, zyrtarë perëndimorë dhe iranianë kanë thënë se edhe Arabia Saudite ka kryer një numër sulmesh të padeklaruara ndaj Iranit.

Mediat iraniane kanë ngritur dyshime nëse pjesëmarrësit në takimin e ministrave të Jashtëm të BRICS në Indi do të arrijnë të nxjerrin një komunikatë përfundimtare për shkak të mosmarrëveshjeve mes Iranit dhe Emirateve. Zëvendësministri i Jashtëm iranian Kazem Gharibabadi u citua të ketë thënë se kishte “probleme dhe komunikime” për shkak të pranisë së Emirateve, shkruan Reuters.