Vendosni fjalën kyçe....

FBI merr në pyetje zyrtarë të CIA-s në hetimin ndaj ish-shefit të agjencisë Brennan


FBI-ja ka nisur të marrë në pyetje punonjës aktualë dhe ish-punonjës të CIA-s si pjesë e hetimit të Departamentit të Drejtësisë ndaj ish-drejtorit të CIA-s, John Brennan, lidhur me rolin e tij në një vlerësim të inteligjencës që arrinte në përfundimin se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 për të ndihmuar Donald Trump-in, sipas pesë burimeve të njohura me çështjen.

Punonjësit u morën në pyetje javën e kaluar nga agjentë të zyrës së FBI-së në Miami, në selinë e CIA-s në McLean. Intervistimet pritet të vijojnë gjatë javëve të ardhshme, thanë tre nga burimet.

Zyra e Prokurorit Federal për Distriktin Jugor të Floridës ka muaj që po zhvillon hetime ndaj Brennan. Prokurorët po shqyrtojnë nëse ai ka bërë deklaratë të rreme para Kongresit në vitin 2023, gjatë diskutimeve mbi një vlerësim inteligjence të vitit 2017 që analizonte ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Përfundimet kryesore të atij vlerësimi – i përqendruar te spiunazhi kibernetik dhe përpjekjet ruse për të ndikuar në favor të kandidaturës së Trump kundër Hillary Clinton – u konfirmuan më vonë nga Departamenti i Drejtësisë, një komision bipartizan i Senatit dhe një rishikim i CIA-s.

Megjithatë, Trump, i cili e ka quajtur hetimin mbi Rusinë një “mashtrim”, ka kërkuar që prokurorët të hetojnë ata që ai i konsideron përgjegjës për nisjen e hetimit, përfshirë Brennan.

Një burim i njohur me hetimin tha se agjentët e FBI-së kanë marrë në pyetje rreth dhjetëra zyrtarë të tanishëm dhe ish-zyrtarë të CIA-s që punuan në raportin e vitit 2017.

Zyrtarët po pyeten për rolin e Brennan në hartimin e vlerësimit dhe për masën në të cilën përfundimet e tij u ndikuan nga dosja polemizuese me pretendime të pavërtetuara mbi lidhjet e Trump me Rusinë.

E njohur si “Dosja Steele”, sipas autorit të saj, ish-oficerit britanik të inteligjencës Christopher Steele, dokumenti u financua nga kundërshtarët politikë të Trump dhe përfshinte pretendime sensacionale mbi lidhjet mes fushatës së tij të vitit 2016 dhe Moskës – pretendime që Trump i ka mohuar me forcë.

Dosja u përmend shkurtimisht në raportin e inteligjencës dhe një përmbledhje e pretendimeve të saj iu bashkëngjit një versioni të klasifikuar të raportit. Brennan ka deklaruar se CIA ishte kundër përfshirjes së dosjes në raport dhe se përmbledhja e klasifikuar u shtua vetëm si kompromis me FBI-në.

Reuters kishte raportuar më herët se FBI pritej të merrte në pyetje zyrtarë të inteligjencës si pjesë e hetimit ndaj Brennan. CIA dhe Departamenti i Drejtësisë refuzuan të komentojnë. Edhe avokati i Brennan nuk pranoi të komentojë.

Avokati i Brennan deklaroi në një letër drejtuar gjyqtarit federal kryesor në Miami se prokurorët i kishin thënë klientit të tij se ai është objektiv i hetimit. Ai pretendoi se prokurorët po “zgjedhin gjykatësin” duke u përpjekur ta drejtojnë çështjen te një gjyqtar i emëruar nga Trump në Fort Pierce, i cili më parë kishte rrëzuar një çështje penale kundër Trump.

Burime të njohura me hetimin presin që çdo akuzë e mundshme të ngrihet në Ëashington, pasi aty është zhvilluar dëshmia e Brennan në Kongres.

Përfaqësuesi republikan nga Ohio, Jim Jordan, ia referoi Brennan, Departamentit të Drejtësisë në tetor, duke pretenduar se ai kishte gënjyer gjatë dëshmisë së tij në Kongres në vitin 2023, pjesërisht kur tha se CIA “nuk ishte aspak e përfshirë” me Dosjen Steele.

Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche ndihmoi në mbikëqyrjen e hetimit ndaj Brennan kur zyra drejtohej nga Pam Bondi. Trump e shkarkoi Bondi në prill, mes zemërimit në rritje në Shtëpinë e Bardhë për ritmin dhe rezultatet e hetimeve të ekipit të saj.

Muajin e kaluar, Departamenti i Drejtësisë largoi prokurorin veteran në Miami që drejtonte hetimin ndaj Brennan. Më pas emëroi Joe DiGenova, ish-prokuror federal dhe komentator konservator kritik ndaj Brennan, për të mbikëqyrur hetimin dhe një përpjekje të lidhur me të për të shqyrtuar nëse hetimet e mëparshme ndaj Trump përbënin një komplot kundër presidentit.

Prokurorët fillimisht lëshuan disa thirrje për dëshmitarë që të paraqiteshin para një jurie federale në Ëashington. Në një veprim të pazakontë, këto thirrje u tërhoqën në mesin e prillit, menjëherë pasi ishin lëshuar, sipas dy burimeve të njohura me çështjen.

Emërimi i DiGenova ka shqetësuar punonjës aktualë dhe ish-punonjës të CIA-s, të cilët druhen se ai mund të ndjekë këdo brenda komunitetit të inteligjencës që Trump e konsideron të përfshirë në hetime të motivuara politikisht, thanë dy nga burimet.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters