
Frika për destabilizimin e regjimit iranian është shtuar pas dështimit të negociatave mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa analistët paralajmërojnë se figura të larta të udhëheqjes në Teheran mund të kërkojnë strehim në Rusi për të mbijetuar politikisht.
Eksperti i Lindjes së Mesme, Saeid Golkar, deklaroi për Fox News Digital se disa drejtues të regjimit iranian mund të ndjekin të njëjtin model si ish-presidenti sirian Bashar al-Assad, i cili u largua drejt Rusisë pas rrëzimit të regjimit të tij.
“Nëse situata përkeqësohet më tej, disa figura të larta mund të ndjekin rrugën e rrethit të Bashar al-Assad dhe të kërkojnë strehim në Rusi”, tha Golkar.
Sipas tij, destinacioni i arratisjes do të varej nga niveli i figurave të regjimit. Zyrtarët më të lartë, përfshirë kryetarin e Parlamentit iranian Mohammad-Bagher Ghalibaf, mund të drejtohen drejt Moskës, ndërsa figura të rangut më të ulët mund të kërkojnë strehim në Irak apo Afganistan.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi për CBS se rrëzimi i regjimit iranian mund të jetë tashmë një skenar realist.
“E gjithë struktura e rrjetit terrorist të përfaqësuesve të Iranit shembet nëse bie regjimi në Iran”, u shpreh Netanyahu.
Sipas raportimeve, kriza aktuale nisi pas vdekjes së udhëheqësit suprem Ali Khamenei në fillim të vitit 2026 gjatë operacionit ushtarak “Epic Fury”.
Djali i tij, Mojtaba Khamenei, i shpallur si pasues, raportohet se është plagosur rëndë dhe mungon prej kohësh në daljet publike dhe negociatat.
Golkar deklaroi se Mojtaba Khamenei “ose ka vdekur, ose ndodhet në gjendje shumë të rëndë”, duke shtuar se mungesa e tij ka krijuar paqartësi mbi pasardhësin e regjimit.
Megjithatë, sipas ekspertit, sistemi iranian është ndërtuar për të mbijetuar edhe në rast eliminimi të figurave kryesore.
“Është një regjim i projektuar jo vetëm për të qeverisur, por për të mbijetuar edhe pas goditjeve ndaj udhëheqjes”, tha ai.