
Seanca në Gjykatën Administrative për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ka vijuar me dyer të mbyllura, pasi u ndërpre transmetimi live i saj.
Veliaj ka kërkuar transparencë për procesin gjyqësor, duke shprehur pakënaqësi për vendimin që seanca të mos transmetohej publikisht.
“I nderuar gjyqtar, ju falënderoj për fjalën, por kjo vjen pas një shqetësimi. Prisja të kishte transparencë. Ky proces ka lulëzuar në errësirë. Ka një palë që do errësirë dhe një palë që do dritë”, është shprehur Veliaj.
Në deklaratën e tij, ai tha se prej më shumë se dy vitesh është përballur me, sipas tij, një “sulm frontal politik, mediatik dhe juridik”, që ka çuar deri në heqjen e lirisë personale dhe pamundësimin e ushtrimit të mandatit si kryetar bashkie.
Veliaj pretendoi se ndaj tij dhe familjes është ushtruar një kontroll i plotë hetimor dhe penal, por shtoi se ka bashkëpunuar me drejtësinë në çdo moment.
Ai ngriti shqetësime edhe për kufizimin e të drejtave të mbrojtjes, duke deklaruar se nuk ka akses të plotë në dosje, në përgjime dhe në komunikim me avokatët ndërkombëtarë.
Sipas tij, pala kundërshtare nuk kërkon shqyrtimin në themel të çështjes, por shmangien e kontrollit mbi ligjshmërinë e autoriteteve që kanë ndërhyrë ndaj tij dhe institucionit që drejton.