
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka denoncuar nga foltorja e Kuvendit atë që e cilësoi si një “skandal të ri” në Tiranë, duke publikuar një foto satelitore ku, sipas tij, shfaqen tetë vila luksoze të ndërtuara në zonën pas qendrës tregtare TEG.
Gjatë fjalës së tij, Këlliçi ngriti dyshime mbi ligjshmërinë e ndërtimit të vilave dhe kërkoi transparencë nga institucionet përgjegjëse lidhur me pronësinë dhe lejet përkatëse.
“Janë shfaqur 8 vila luksoze në Tiranë, pa zhurmë, në heshtje. Pyetjet lindin natyrshëm: cili shef apo zyrtar banon aty? A është dhënë leje ndërtimi për këto vila? A është respektuar ligji? Bëni transparencë!”, deklaroi deputeti demokrat.
Këlliçi nuk dha emra konkretë të personave që mund të jenë pronarë të vilave, por theksoi se rasti duhet të hetohet dhe të sqarohet publikisht.
Denoncimi i tij vjen në një kohë kur opozita ka shtuar akuzat ndaj qeverisë dhe institucioneve për mungesë transparence në projektet e ndërtimit dhe zhvillimet urbane në kryeqytet.